Aktvendimi për rastin "Lëndina", shpallen të pafajshëm vëllezërit Pavlloviq
Gjykata Penale në Shkup ka shpallur të pafajshëm gazetarin, Dragan Pavlloviq Llatas....

Gjykata Penale në Shkup ka shpallur të pafajshëm gazetarin, Dragan Pavlloviq Llatas, dhe dy vëllezërit e tij, Sërxhan dhe Zvezdan Pavlloviq, të cilët ngarkoheshin për ndërtim pa leje të vikend shtëpive në Zelenikovë.
Akuzën e lëndës "Lëndia" e përfaqësonte Prokuroria Speciale Publike dhe e njëjta kishte kërkuar që të akuzuarit të dënohen dhe t’u konfiskohet prona. Sipas gjykatëses, Marija Kletniçka Markovska, vepra për të cilën ngarkohen vëllezërit Pavlloviq nuk paraqet vepër penale bazuar në Ligjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Sipas Markovskës, në këtë rast nuk ka paraqitje as nga qytetarë e as nga shteti për ndërtim pa leje, e as nuk ekziston vendim për rrënim të objekteve.
“Duke pasur parasysh të gjitha dëshmitë e shpalosura, Këshilli pas këshillimit miratoi vendim me të cilin të akuzuarit e lartpërmendur lirohen nga akuza sipas nenit 403, pika 1 nga Ligji për procedurë penale. Vepra për të cilën akuzohen nuk është vepër penale sipas ligjit”,- deklaroi gjykatësja, Marija Kletniçka Markovska.
Prokurorja, Elizabeta Josifovska, tha se PSP-ja do të ankimojë aktvendimin e shkallës së parë.
“Shpresojmë se aktvendimi në frymë të shkruar do të japë arsye plotësuese me të cilat është udhëhequr gjykata, por gjithsesi për ne si prokurori aktakuza është e bazuar. Ishit në gjykatë dhe e përcollët procesin. Do të ankohemi, ky është mekanizmi juridik me të cilin mund të reagojmë në kësi lloj situatash. Ajo që nuk kanë reaguar institucionet kompetente në kohë nuk është bazë për lirimin e të akuzuarve nga akuza”,- tha prokurorja speciale, Elizabeta Josifovska.
Vëllezërit akuzoheshin nga PSP-ja për ndërtim të tri vikend shtëpive në Zelenikovë, ku sipas prokurorisë, kanë filluar ndërtimin në vitin 2011, ndërsa miratimin për ndërtim e kanë marrë në vitin 2013. Sipas PSP-së, të akuzuarit veprën e kanë bërë me paramendim, pasi që edhe pse e kanë ditur se nuk ka të drejtë të ndërtimit, megjithatë kanë filluar të ndërtojnë dhe edhe pse në kundërshtim me ligjin, kanë ndërtuar tre shtëpi, vila, në komunën e Zelenikovës. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)
