Nota mesatare e maturës shtetërore 3.47, Ademi: Progres krahasuar me vitet e kaluara

04.07.2019 15:22

Nota mesatare e maturës shtetërore këtë vit shënon 3.47....

Nota mesatare e maturës shtetërore këtë vit shënon 3.47, ndërsa rezultatet janë shpallur në të gjitha shkollat e mesme të vendit. Në krahasim me vitin e kaluar, rezultatet nga matura shtetërore tregojnë progres, thekson ministri i Arsimit, Arbër Ademi.

Sipas tij, është shënuar progres në rezultatet e gjuhës shqipe, maqedonase, matematikës, gjuhës angleze, ndërsa ulje në krahasim me vitin e kaluar kemi në lëndët biznes, histori, gjeografi dhe gjuhë turke. Në përgjithësi rezultatet nga provimi i pjekurisë janë më të mira nga viti i kaluar.

“Në krahasim me vitin e kaluar kemi përmirësim në lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë, ku nota mesatare shënon 3.85 në krahasim me vitin e kaluar kur ka shënuar 3.81. Rezultate me ulje të lehtë të notës mesatare është shënuar në provimin e gjuhës dhe letërsisë turke me 3.73, në krahasim me vitin e kaluar kur ka qenë 4.18. Rritje më e madhe është shënuar në lëndën e matematikës në krahasim me tre vitet e kaluara ku sivjet është 3.65 në krahasim me vitin e kaluar kur ka shënuar 3.37 në 2017 dhe 3.44 në 2018. Gjuha angleze është zgjedhur si lëndë zgjedhore dhe 310 nxënës e kanë zgjedhur më shumë këtë lëndë, prej tyre 7.35 për qind nuk e kanë kaluar testin dhe nota mesatare është 3.07 në krahasim me vitin e kaluar kur ishte 2.91 për qind”,- tha ministri i Arsimit, Arbër Ademi.

QENDRA SHTETËRORE E PROVIMEVE: ANKESAT DORËZOHEN MË 5, 8 DHE 9 KORRIK

Nga Qendra Shtetërore e Provimeve bëjnë të ditur se në testin e biologjisë në gjuhën shqipe ka pasur më pak pikë krahasuar me testimin në gjuhë maqedonase dhe se ky gabim teknik është konstatuar dhe vlerësimi do të bëhet sipas rregullave. Nxënësit që nuk janë të kënaqur nga rezultatet mund të parashtrojnë ankesa deri tek ky institucion.

“Të gjithë nxënësit që janë të pakënaqur nga rezultatet do të mund të parashtrojnë ankesa më 5, 8 dhe 9 korrik, ndërkohë që rezultatet janë të shtypura dhe të dorëzuara në të gjitha shkollat në vend. Këtë vit ka pasur ndryshime edhe në testin e gjuhës angleze ku është ndryshuar skema e pyetjeve, dhe në pyetjen se pse rezultatet nga gramatika janë të dobëta, mund të them se këto janë rezultatet reale të nxënësve tanë”,- tha Lidija Gjoshevska nga Qendra Shtetërore e Provimeve.                                                                                      

Ministri Ademi po ashtu theksoi se të gjitha shkollat duhet të respektojnë njoftimin se si duhet të plotësohet grafi i shtetësisë në dëftesat shkollore ku duhet të shkruhet e Maqedonisë, qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe se gabimet që janë bërë duhet të korrigjohen. (Flutura Latifi, TVM2)