Hapet fabrikë e re në Saraj, Zaev: Me fondet IPARD përmirësojmë klimën e biznesit
Përmes shfrytëzimit të fondeve IPARD....

Përmes shfrytëzimit të fondeve IPARD, shteti vazhdon të përmirësojë kushtet e biznesit në vend, duke krijuar kështu edhe vende të reja të punës.
Kryeministri, Zoran Zaev, gjatë hapjes së fabrikës për përpunimin e mishit në komunën e Sarajit, theksoi se projekti tashmë i finalizuar e që është ndërtuar edhe me ndihmën e fondeve IPARD, paraqet motiv për të rinjtë që t’i rreken punës dhe të përgatisin projekte cilësore.
“Projekti është i një rëndësie të veçantë për të gjithë këtë rajon, por është edhe një motivim serioz për kompanitë tjera, për të rinjtë, të nisin të investojnë. Shteti do të vazhdojë t’i mbështesë, dua t’i inkurajoj të gjithë të përgatisin projekte, të aplikojnë për projekte me të cilat hyjnë me para të tyre 50 për qind dhe 50 për qind grand nga fondet IPARD. Duhet t’i motivojmë të rinjtë që t’iu rreken këtyre koncepteve, pasi definitivsht kjo është ana jonë e konkurrueshmërisë dhe besoj se paraqet një perspektivë të shkëlqyer për të gjithë qytetarët e vendit tonë”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
“Duke pasur parasysh planifikimit që janë në kuadër të komunës së Sarajit me mburoje e them se me bashkëpunim me Qeverinë, ky vit do të jetë vit zhvillimor për komunën e Sarajit dhe gjithë bashkërisht do të kontribuojmë në përmirësimin e jetës”,- tha kryetari i Sarajit, Blerim Bexheti.
“Ky investim ndihmon zhvillimin ekonomik lokal, me anë të punësimeve të reja si dhe me pozicionimin e një game të pasur të produkteve të cilësisë superiore të prodhuara në vendin tonë”,- theksoi sipërmarësi, Harun Sulejmani.
Objekti i fabrikës së re “Tiamo” shtrihet në komunën e Sarajit dhe kap një sipërfaqe prej 3 mijë metra katrorësh, ndërsa ka hapur rreth 30 vende të reja të punës. (Zekirja Mexhiti, TVM2)
