Pendarovski: Armata me emër të ri - Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut

04.07.2019 17:11

Armata e vendit tani e tutje do të mbajë emrin Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut....

Armata e vendit tani e tutje do të mbajë emrin Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Këtë e bëri të ditur presidenti, Stevo Pendarovski, i cili njoftoi se në cilësinë e komandantit suprem të Armatës ka nënshkruar rregullativën për emblemat e reja.

“Kam nënshkruar rregullativën për emblemën e uniformave të Armatës, e cila tani e tutje do të jetë Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut, do të thotë se ka përfunduar edhe ky aspekt tekniko-juridik, kështu që gjatë furnizimeve të ardhshme, Armata do të ketë emblema të reja”,- u shpreh presidenti i ARM-së, Stevo Pendarovski.

Presidenti Pendarovski këtë vendim e bëri të ditur gjatë vizitës në kufirin jugor, ku vizitoi edhe objektin e Armatës dhe Qendrën e transitimit të refugjatëve.

NUK KA INDIKACIONE PËR VALË TË RE MIGRANTËSH

Presidenti me këtë rast është njoftuar me kushtet e kësaj qendre dhe lëvizjen e migrantëve ilegalë në këtë pjesë të kufirit. Ndërsa bazuar në raportimin e zyrtarëve të ARM-së dhe qendrës transitore për migrantë, Pendarovski tha se mund të konstatohet se nuk ka indikacione për rritjen e numrit të migrantëve ilegalë. 

“Organet kompetente, edhe pjesëtarët e MPB-së edhe pjesëtarët e ARM-së, punojnë së bashku, ndërsa vlerë shtesë është edhe puna e përbashkët me partnerë ndërkombëtarë, me ata që së shpejti do të jemi partnerë në NATO dhe do të bashkëpunojmë edhe në kuadër të BE-së, në çështjet e sigurisë dhe komponentit ushtarak”,- theksoi presidenti i ARM-së, Stevo Pendarovski.

Forcave të sigurisë në vend për ruajtjen e kufirit jugor aktualisht u ndihmojnë edhe pjesëtarë të 6 vendeve tjera. Në kufirin jugor dhe verior të vendit vazhdon gjendja e krizës e shpallur nga kuvendi, e cila do të zgjasë deri më 31 dhjetor të këtij viti, ndërsa ishte shpallur prej para 4 vitesh për të ndaluar valën e migrimit ilegal. (Gyltene Sinani, TVM2)