Filloi Samiti i Poznjanit, Han: BE të vlerësojë rekomandimin e KE-së për Maqedoninë e Veriut

04.07.2019 17:27

Me pjesëmarrje të kancelares gjermane, Angela Merkel, kryeministres së Britanisë së Madhe....

Me pjesëmarrje të kancelares gjermane, Angela Merkel, kryeministres së Britanisë së Madhe, Francës, eurokomisarit për zgjerim, Johanes Hahn, dhe politikanëve evropianë dhe ballkanas, filloi Samiti i procesit të Berlinit për përkrahjen e procesit eurointegrues dhe bashkëpunimit rajonal për Ballkanin Perëndimor, që po mbahet në Poznjan të Polonisë.

Eurokomisioneri për zgjerim, Johanes Hahn, në fjalimin e tij në forumin për tregti dhe industri, mes tjerash i është referuar edhe çështjes së hapjes së negociatave. Han pret që në tetor BE të ketë parasysh vlerësimin e KE-së për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

“Fuqishëm qëndroj pas rekomandimeve të KE-së për hapjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Vlerësoj që Samiti i tetorit të ketë parasysh vlerësimin tonë pozitiv. Të dyja shtetet kanë realizuar reforma, në veçanti në fushat e përmendura në rekomandimet e vitit 2018. Ne si BE e kemi patjetër të respektojmë obligimet që i kemi dhënë”,- tha eurokomesioneri për zgjerim, Johanes Hahn.

Ballkani ka nevojë për investime, ka shtuar Hahn, që, sipas tij, kjo siguron stabilitet dhe shoqëri demokratike.

ÇAPUTOVIQ: EVROPA NUK ËSHTË E PLOTË PA BALLKANIN PERËNDIMOR

Ndërkohë, ministri i jashtëm polak, Çaputoviq, ka potencuar se Evropa nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor.

“Evropa nuk mund të llogarisë se është e plotë pa Ballkanin Perëndimor, për shkak të  aspektit gjeografik dhe atë të politikës”,- theksoi ministri i punëve të jashtme në Poloni, Jasek Çaputoviq.

Samiti në ditën e parë shtjellon çështjet ekonomike, ndërsa në ditën e dytë procesin eurointegrues. Në formatin ministror temë e diskutimeve janë:  bashkëpunimi në fushën e transportit dhe energjetikës në rajon, integrimit  ekonomik, sfidat e sigurisë dhe migrancioni.

Kryeministri, Zoran Zaev, zëvendëskryeministrat, Bujar Osmani dhe Koco Angjushev, ministri i jashtëm Dimitrov dhe ministri i Ekonomisë, Bekteshi, përbëjnë delegacionin e shtetin në samit.

Kancelarja Merkel, kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, ai i Rumanisë, Mateush Moravjecki, dhe kryeministri i shtetit, Zoran Zaev, do të mbajnë pres konferencë ku do të kumtojnë zyrtarisht se me Samitin e procesit të Berlinit do  udhëheqin së bashku, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut në 12 muajt e ardhshëm (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)