Gabimi me himnin kombëtar, Tamara kërkon falje: Gabim i paqëllimshëm

04.07.2019 17:49

Këngëtarja, Tamara Todevska, e cila ngatërroi tekstin e himnit kombëtar maqedonas....

Këngëtarja, Tamara Todevska, e cila ngatërroi tekstin e himnit kombëtar maqedonas në manifestimin e përvjetorit të pavarësisë së ShBA-ve, përmes një reagimi në Facebook ka sqaruar se lëshimi është bërë si pasojë e emocioneve.

“Më lejoni që nga thellësia e zemrës t’ju kërkoj falje për gabimin e mbrëmshëm. Nuk ka fjalë që mund ta përshkruaj brengën time për lëshimin që bëra gjatë këndimit të himnit. E ndikuar nga emocionet dhe euforia, për fat të keq dhe pa dëshirë anashkalova një pjesë të himnit”,- theksoi këngëtarja, Tamara Todevska.

Ka reaguar edhe Ambasada e ShBA-ve.

“Shtetet e Bashkuara kanë respekt të thellë për traditën, historinë, heronjtë dhe të ardhmen e mikut, partnerit dhe aleatit, Maqedonisë së Veriut. Ne e kuptojmë se gabimet mund të ndodhin pa dashje në momente emocionale, por faleminderit këngëtarëve tanë për performancën e shkëlqyeshme”,- kanë reaguar nga Ambasada e ShBA-ve - Shkup.

Edhe kryeministri, Zoran Zaev, tha se bëhet fjalë për gabim të paqëllimshëm.

“Ylli ynë kërkoi falje. Edhe Ambasada e ShBA-ve gjithashtu. Ishte një lëshim. Himni këndohet për çdo ditë dhe gjithandej. Kjo vërteton se është gabim i paqëllimshëm”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.

Ndërkohë, nga VMRO-DPMNE-së, u shprehën se mosintonimi i plotë i himnit kombëtar i shkon për shtati politikave të kryeministrit Zaev.

“Mund të behët fjalë për gabim, por mosintonimi i plotë i himnit kombëtar është për t’u gjykuar, e posaçërisht në këtë periudhë kur është krijuar një atmosferë në të cilën çështjet e identitetit janë në pikëpyetje”,- u shpreh zëdhënësi i VMRO-DPME-së, Naum Stoillkovski.

Qeveria, duke u thirrur në njoftimin e Ambasadës së ShBA-ve, ka kumtuar se bëhet fjalë për gabim jo të qëllimshëm. (Sedat Selimi, TVM2)