Sindikata e Qendrës Klinike: Protesta në shtator nëse nuk realizohen kërkesat
Të punësuarit në Qendrën Klinike paralajmërojnë protesta për në shtator.....

Të punësuarit në Qendrën Klinike paralajmërojnë protesta për në shtator, nëse nuk realizohen kërkesat e tyre. Nga sindikata e Qendrës Klinike thonë se ka kaluar që moti afati për ndërtimin e parkingjeve në kate.
Gjithashtu, sipas tyre, premtimi për paga nga 100 mijë denarë për mjekët ende nuk është realizuar.
“Nëse deri në shtator nuk reagohet në mënyrë adekuate, nëse nuk ndërtohen parkingje në kate, nëse nuk ulet çmimi i kartelave për parkingje ose të bëhet falas, nëse nuk fillohet në mënyrë objektive të bëhet diçka me rritjen e pagave, atëherë sigurisht se ajo është vetëm prolongim i problemit dhe rritje e pakënaqësisë së anëtarëve tanë. Sigurisht se do të reagojmë, më së paku përmes protestave”,- deklaroi kryetari i Sindikatës së Qendrës Klinike, Goran Begoviç.
FILIPÇE: REAGIMI I SINDIKATËS, I PABAZË
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i vlerëson si të pabaza reagimet e Sindikatës së Qendrës Klinike. Sipas ministrit Filipçe, në mënyrë transparente dhe në bashkëpunim me Sindikatën po punon në rritjen e pagave dhe në përmirësimin e kushteve të spitaleve.
“Nuk ka hapësirë për një reagim të tillë, sepse vërtetë intensivisht punojmë në ndarjen e mjeteve shtesë që të arrijmë shumën e rrogave dhe kujdestarive në vitin 2020, ashtu siç kemi premtuar. Lexova reagimin edhe për garazhin në kate, në momentin kur u rrit çmimi ne me të vërtetë nuk kishim kompetenca, ishte në kompetenca të Qytetit të Shkupit. Megjithatë, me vendimin e ri të Qeverisë, me fillimin e procedurës për partneritet publiko-privat, me revizion të studimit fizibiliti, ne jemi në fazën finale dhe besoj që në dy-tre javët e ardhshme do të mbarojë gjithçka dhe do të shpallet tenderi për partneritet publiko-privat për garazhet në kate në Qendrën Klinike”,- u shpreh ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Ministri Filipçe pret që deri në fund të vitit të zgjidhet çështja e parkingut dhe komunikacionit në Qendrën Klinike. Takimi i fundit mes ministrit dhe Sindikatës ishte më 15 janar të 2019-s. (Belinda Koka – Ademi, TVM2)
