Marrja e datës për në BE, Mickovski: Nuk mbështesim qeverinë, jemi të pavarur
VMRO – DPMNE nuk do të mbështesë qeverinë në marrjen e datës për nisjen e bisedimeve.....

VMRO – DPMNE nuk do të mbështesë qeverinë në marrjen e datës për nisjen e bisedimeve, por këtë do ta bëjë në formë të pavarur.
Kreu i partisë, Hristijan Mickovski, në intervistën për TV-Alfa tha se tani e tutje oferta për bashkëpunim me qeverinë nuk vlen. Partia e tij do të lobojë me forcat e veta dhe do të bëjë gjithçka që vendi të marrë datën.
“Ia dorëzuam ofertën Zoran Zaevit dhe i thamë se ne nuk duam të bëhemi pjesë e qeverisë dhe të ndajmë ekzekutivin me ty. Ne thjesht duam t’iu ndihmojmë që deri në tetor, së bashku të sjellim Maqedoninë para marrjes së datës për nisjen e bisedimeve me BE-në. Kaluan disa javë pa përgjigje nga qeveria dhe as që janë formuar grupe pune. Kjo ofertë nuk vlen më. VMRO – DPMNE do të kap rrugën e saj dhe do të përpiqet në mënyrën e vet sikurse din dhe mundet që të bind partitë si motra që të mbështesin marrjen e datës”,- tha kryetari i VMRO – DPMNE – së, Hristijan Mickovski.
ZAEV: MICKOVSKI KA OBLIGIM TË NDIHMOJË PROCESIN
Por, sipas kryeministrit, Zoran Zaev, Mickovski ka për obligim të ndihmojë procesin. Zaev madje paralajmëroi takim për zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme.
“Është obligim i tij që të ndihmojë, i juaji por edhe i imi. Ne para së gjithash jemi qytetarë të këtij vendi me synimin strategjik, integrimin në BE. Çdokush që do të tentojë të pengojë dhe të mos ndihmojë, do të mbart përgjegjësi. Ne politikanët këtë përgjegjësi e mbartim në zgjedhje. Unë besoj se edhe VMRO – DPMNE do të mbetet në përcaktimet strategjike për anëtarësim në NATO dhe BE, dhe në këtë pjesë do të ndihmojë, posaçërisht për Ligjin e Prokurorisë Publike, ku besoj se së shpejti do të takohemi dhe do të bisedojmë edhe për regjistrimin e popullsisë, Ligjin për zgjedhjet dhe temat e tjera të rëndësishme”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
Kryeministri Zaev disa herë është shprehur optimist në marrjen e datës në tetor pas dështimit në qershor. Opozita konsideron se veprimi i pushtetit në këtë drejtim është jokonstruktiv në mungesë të ambientit të mjaftueshëm demokratik që t’i shpjerë përpara reformat. (Meral Ismaili, TVM2)
