DAP: Nga TVSh-ja një person mund të kthejë 600 denarë

05.07.2019 16:39

Për të kthyer 600 denarë në muaj nga TVSh...

Për të kthyer 600 denarë në muaj nga TVSh, një person duhet të bëjë qarkullim prej 26.600 denarë në muaj në qoftë se të gjitha llogaritë janë me 18% TVSh.

Kështu informojnë nga Drejtoria për të Ardhura Publike në një brifing me gazetarët.

“Pagesa e parë e parave nga TVSh, qytetarët mund ta presin në dhjetor - për muajt korrik, gusht dhe shtator. Pagesa do të kryhet në kuartale dhe një person mund të kthejë maksimum 1800 denarë në tre muaj”,- thonë nga DAP.

Gjithsej 57,973 persona kanë shkarkuar aplikacionin “TVSh-ja ime” nga faqja e internetit e DAP-it që nga fillimi i saj më 1 korrik.

Siç theksoi drejtoresha e DAP-it, Sonja Llukarevska, masa veç më ka filluar t’i jep efektet e veta në aspekt të nxjerrjes së llogarive fiskale dhe në luftën kundër ekonomisë së zezë. Por, problem i vetëm vazhdon të mbetet ajo që përdoruesit e I-phone nuk mund ta zbresin aplikacionin “TVSh-ja ime”.

Nga DAP-i theksojnë se kanë lëshuar kërkesë në “Apple Store”, por për shkak kushteve strikte të Apple, kjo procedurë po stërzgjatet.

Por, nga DAP theksuan se presin në çdo moment aprovimin nga “Apple Store”, në mënyrë që edhe përdoruesit e I-phone të kenë qasje në këtë aplikacion. Ankesa nga qytetarët ka pasur gjithashtu edhe për bar kodet e panjohura në faturat, gjë që e vështirëson ose e pamundëson që ata të lexojnë aplikimin e telefonave celularë. Qytetarët që kanë problem të lexojnë kodet bar nga llogaritë fiskale, problemin mund ta tejkalojnë nëse i lexojnë të njëjtat në kioska dhe në lexues të barkodeve  të cilët, thonë ata, funksionojnë në mënyrë të përsosur dhe shumë më mirë se lexuesit e telefonave.

Në të njëjtën kohë vihet në dukje se nëse një person fizik përpiqet të skanojë një llogari që është në emër të një kompanie, ai individ do të gjobitet deri në 250 euro. Pritjet janë që aplikacioni të shfrytëzohet nga gjysmë milion njerëz. (Ersan Pajaziti, TVM2)