PORTUGALI-SHQIPËRI

Balaj shënon dhe nderon gjithë shqiptarët (VIDEO)

08.09.2014 10:16

Shqipëria triumfoi mbrëmë në Aveiro kundër Portugalisë së mbushur me yje, por që i mungoi “Topi i Artë”, Kristiano Ronaldo........

E pabesueshme, por e vërtetë. Shqipëria triumfoi mbrëmë  në Aveiro kundër Portugalisë së mbushur me yje, por që i mungoi “Topi i Artë”, Kristiano Ronaldo.

Bekim Bala ishte heroi i “kuqezinjëve”, duke bërë mbrëmë të lumtur çdo shqiptarë ane mbanë Botës. Sulmuesi i Slavia Pragës, shënoi një super gol në minutën e 53-të, gol ky që mjaftoi për tre pikëshin e parë të Shqipërisë në eliminatoret për Evropianin e vitit 2016-të, që do të mbahet në Francë.

Kësisoj “kuqezinjtë” e De Biazit marrin tri pikët e para në Grupin “I”, bashkë edhe me Danimarkën, kombëtare kjo që përmbysi në fushën e vet Armeninë, duke mundur me rezultatin 2:1.

Kujtojmë se edhe De Biazi në këtë ndeshje kishte mungesa të rëndësishme nga pjesa e titullarëve të edicionit të shkuar kualifikues, si Alban Meha, Migjen Basha, Valdet Rama, Edgar Çani dhe Armando Sadiku.

Megjithatë edhe përkundër këtyre mungesave, futbollistët  shqiptarë me në krye gardianin numër një, Etrit Berishën, lanë zemrën në fushë, që në fund iu pagua duke arritur një ndër fitoret më të mëdha historike.(infOSport.mk)