Maqedoni

Mogerini: Mos hapja e bisedimeve me RMV-në, gabim i madh

06.07.2019 17:20

Mos-hapja e negociave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të ishte një gabim i madh...

Mos-hapja e negociave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të ishte një gabim i madh, ka deklaruar shefja për politikë të jashtme e BE-së Federika Mogerini. Ajo pajtohet me idenë e presidentit francez Emanuel Makron për zgjerim kredibil, por theksoi se Ballkani Perendimor perspektivën e ka në BE. 
 
 “Unë besoj se zgjerimi patjetër duhet të jetë kredibil. Në rast se vendet anëtare të BE-së nuk sjellin vendim për hapjen e negociatave posaçërisht me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë që në tetor të këtij viti, do të jetë gabim i madh”, tha Mogerini. 
 
Kryeministri Zaev është optimist për marrje të dates për negociata në tetor të këtij viti. Sipas tij, Maqedonia e Veriut ka bërë progres në aspektin e reformave, andaj vendet e BE-së duhet që të kenë këtë parasysh. 
 
 “Vendimi është absorbuar por të gjitha vendet kanë edhe debat të brendshëm. Franca dhe Holanda kanë debatin e tyre të brendshëm. Një gjë është e sigurt, vendet anëtare nuk mund t’i përbuzin sukseset tona të cilat i kemi të përbashkëta, gjithashtu reformat të cilat i bëmë me konsensus. Marrëveshja u miratua me 2/3 e votave në Kuvend. Nuk ishte e lehtë kjo çështje”, tha Zoran Zaev.
 
Maqedonia e Veriut nuk arriti të merr datën e bisedimeve në muajin qershor ashtu siç ishte paralajmëruar. Kjo u bë për shkak të mungesës së vendimit nga Bundestagu. Kancelarja Angela Merkel paralajmëroi se para tetorit, Gjermania do të vendos mbi çështjen për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë kur edhe pritet të jepet data për bisedimet para aderuese. 
 
ERSAN PAJAZITI