Maqedoni

Tetova, qyteti i mbushur me mbeturina jashtë kontejnerëve

08.07.2019 16:17

Mbeturinat inerte që hidhen jashtë kontejnerëve po i japin Tetovës pamjen e një qyteti jo të pastër....

Banorët kërkojnë që në disa pjesë të lagjeve të shtohen kontejnerë, pasi kjo gjendje mund të sjellë ndonjë epidemi. Por, ata pranojnë se për hedhjen e mbeturinave inerte fajtorë janë vetë qytetarët.
 
“Populli ynë nuk e ka kulturën e njerëzve të Evropës. Atë çka hamë me hedh në rrugë nuk është mirë. Duhet të ketë vend për mbeturinat interne, shishet plastike, edhe gjërat ndërtimore hedhen aty, kjo nuk është normale, kush t’i mbledhë ato, edhe komuna nuk shkon”,- tha një banor.
 
“Është bërë shumë lagje e madhe, pisllëku i madh, nuk merret masa, kështu do të krijohen edhe sëmundje të ndryshme, kemi fëmijë. Nuk mund të dalësh as ditën, as natën, as dritare nuk mund të hapim”,- theksoi një banor.
 
“Të gjithë me korpa vinë i hedhin këtu, shihni, kjo është sëmundje. Kërkojmë që të sjellin më shumë kontejnerë, nuk janë duke sjellë, fëmijët kemi frikë se do të sëmuren”,- u shpreh një banor.
 
Autoritetet komunale bëjnë apel deri tek qytetarët që sa më shumë të kenë kujdes për ambientin, jo të hedhin gjësende jashtë kontejnerëve.
 
Drejtori i NPK-Tetovë, Xhela Ceka, sqaron se stacioni i ngarkim-shkarkimit të mbeturinave në qytetin e Tetovës, ka qenë shkas që të mblidhen sasia e madhe e mbeturinave. Por, Ceka thotë se problemi nuk qëndron te mbeturinat komunale, por te ato inerte të cilat zakonisht hidhen jashtë kontejnerëve.
 
“Problemin që patëm me stacionin e ngarkim-shkarkimit, patëm një çrregullim të marrjes së mbeturinave dhe shpresojë që ky problem nga e shtuna dhe e diela është tejkaluar. Problem jashtëzakonisht i madh tek ne nuk janë mbeturinat komunale me të cilat ndërmarrja ka obligim ligjor për mbledhjen e tyre. Kemi problem të hedhjes së mbeturinave jokomunale, duke përfshirë inerte dhe gjëra të tjera përreth kontejnerëve neve na sjellin jashtëzakonisht shumë telashe”,- deklaroi drejtori i NPK-së, Xhelal Ceka.
 
Edhe drejtori Ceka edhe qytetarët e anketuar theksojnë nevojën për rritjen e vetëdijes së qytetarëve që qyteti buzë Sharrit të ketë një pamje dhe ambient më të pastër. 
 
VISAR SADIKI