Maqedoni
Zyberi: Micotakis mund të kërkojë ridiskutim për pjesë nga Marrëveshja e Prespës
08.07.2019 17:07
Me një rezultat prej 39, 84% të votave, apo 158 deputetë të garantuara në kuvendin grek, Demokracia e Re fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Greqi.....

Kjo i mundësoi të djathtistes greke formimin e qeverisë njëpartiake. Zgjedhjet në Greqi u ndoqën me interesim të madh edhe në Maqedoninë e Veriut, pasi Kirjakos Micotakis, derisa ishte lider i opozitës, e kundërshtoi Marrëveshjen e Prespës, e cila i dha fund kontestit rreth emrit. Analisti politik, Naser Zyberi, thotë se një epilog i tillë nga zgjedhjet në Greqi sigurisht se do të ketë impakt ndaj Marrëveshjes së Prespës. Sipas Zyberit, Micotaksi mund të kërkojë që disa çështje të ridikstuohen, siç është çështja me shkrimin e historisë dhe standardet për tregti të jashtme të Maqedonisë së Veriut.
“Paralajmërimet e para janë se ai do ta respektojë marrëveshjen, sepse është akt prapa të cilit i qëndron autoriteti i shteti grek dhe jo vetëm një strukturë qeverisëse aktuale, por mund të hapen probleme në fazat e implementimit të saj tek të dyja palët. Vet marrëveshja ka paraparë mundësinë e lindjes së këtyre mosmarrëveshjeve, por edhe zgjidhjen e tyre. Në nenin 19 të marrëveshjes thuhet se në mes palëve lind kontest në interpretimin e normave të kësaj marrëveshjeje, atëherë këto do të mundohen bashkërisht t’i zgjidhin, nëse jo, do t’i drejtohen sekretarit të OKB-së dhe në qoftë se edhe në atë rast nuk mund të zgjidhen, atëherë palët kanë të drejt t’i drejtohen gjykatës ndërkombëtare”,- tha analisti politik, Naser Zyberi.
Çfarëdo klase qeverisëse të vijë në Greqi, Marrëveshja e Prespës si e tillë ka garanci ndërkombëtare, thotë Zyberi, dhe për çdo mosmarrëveshje është paraparë dalja e situatës në nenet e marrëveshjes.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
