Maqedoni

Nxënësit ankohen për provimin e anglishtes: Pyetjet nuk kanë qenë nga materiali

08.07.2019 17:22

Për rezultatet e dobëta në provimin e gjuhës angleze të maturës shtetërore....

Për rezultatet e dobëta në provimin e gjuhës angleze të maturës shtetërore, nxënësit e shkollave të mesme fajësojnë përpiluesit e testit. Ata thonë se e përvetësojnë mirë gramatikën e gjuhës angleze dhe se kanë punuar me librin “Uperintermediate”, por pyetjet e parashtruara në test kanë qenë të nivelit të avancuar të gjuhës angleze dhe nuk kanë qenë nga materiali që e kanë mësuar. Ata ankohen edhe për çmimin e lartë që është dashur të paguajnë për parashtrimin e ankesës deri te Qendra Shtetërore e Provimeve. Ata kërkojnë që rezultatet e provimit të mos merrem parasysh.
 
“Kemi pasur pyetje të quajtur ndryshe si “advanced” në gjuhën angleze, kurse ne në librat tona ende mësojmë për kohërat e gjuhës angleze. Ne nga ky test nuk jemi të kënaqur aspak, të gjitha notat që i kemi marrë janë në rangun e 3-shit, vetëm në gishta numërohen disa që kanë marrë 4, ndërsa për 5-sa nuk bëhet as fjalë në shkollën tonë, nuk kemi asnjë pesëshe, ndërsa në shkolla tjera numërohen edhe në gishta”,- deklaroi një nxënës.
 
“Ne nuk kemi pasur qasje në atë gramatikë, ne atë që e kemi ditur e kemi përgjigjur në test, por mendoj se gabimi është te ata dhe nëse ata mendojnë se nuk ka gabim, ne të na i japin testet edhe t’i shohim gabimet tona vet, jo të paguajmë të holla për ta parë gabimin tonë”,- u shpreh një nxënës. 
 
Profesori Kovaçi: Është përdorur anglishte e avancuar
 
Edhe profesori i gjuhës angleze, Ilmi Kovaçi, vlerëson se pyetjet e testit të maturës shtetërore nuk janë nga materiali që kanë mësuar nxënësit dhe është përdorur gramatikë e avancuar, që nuk mësohet në shkollat e mesme të vendit, por mësohet në shkollat private ku pothuajse të gjitha lëndët ligjërohen në gjuhën angleze. Ai kërkon nga institucionet kompetente të përpilohen teste të reja përmes të cilave do të bëhej vlerësimi real i nxënësve.
 
“Gramatika që është vënë në testet e maturës shtetërore zakonisht duhet të përshtatet për nivelin apo intermediet që i kanë nxënësit, por përpiluesit e detyrave e kanë bërë për nxënësit, unë si e shoh për nxënësit që mësojnë në shkolla private dhe tërë kohën në anglisht... MASh, Byroja për zhvillim dhe Qendra për vlerësim të përpilojnë teste të reja me teste të sistemit të Kembrixhit që kanë punuar edhe më herët”,- tha profesori i gjuhës angleze, Ilmi Kovaçi.
 
Kërkuam përgjigje nga drejtoresha e Qendrës shtetërore të provimeve, Lidija Gjoshevska, e cila na tha se është e zënë me punë dhe nuk u përgjigj në pyetjen e parashtruar. Ditë më parë në pyetjen se pse rezultatet janë të dobëta në lëndën e gjuhës angleze, Gjoshevska tha se këto janë njohuritë reale të nxënësve të testuar dhe se testi ka përmbajtur më shumë pyetje nga gramatika e gjuhës angleze.
 
FLUTURA LATIFI