Botë
Micotakis - kryeministër i ri i Greqisë, Cipras: Ndërrimi i pushtetit, esenca e demokracisë
08.07.2019 17:54
Lideri i partisë konservatore Demokracia e Re, Kirjakos Micotakis...

Lideri i partisë konservatore Demokracia e Re, Kirjakos Micotakis, edhe zyrtarisht ka marrë mandatin dhe ka dhënë betimin si kryeministër i ri i Greqisë. Micotakis fitoi në zgjedhjet me shumicë absolute dhe kështu i dha fund qeverisë me koalicione, të cilat ishin karakteristike në vitet e fundit. Kryeministri i ri grek ka vlerësuar se fitorja e partisë së tij është e rëndësishme jo vetëm për Greqinë, por edhe për Evropën, ndërsa ka vënë në dukje faktin se partia nacionaliste “Agimi i Artë” nuk ka fituar asnjë mandat.
“Vendimi është i qartë, komuniteti kërkon që të ecim përpara, të gjithë ne, pa përjashtim. Opinioni dha porosi të qartë për rritje ekonomike, vende të reja të punës dhe për siguri, që Greqia të jetë e fuqishme ashtu siç meriton”,- tha kryetari i Partisë “Demokracia E Re”, Kirijakos Micotakis.
Kryeministri i deritanishëm, njëherit kryetar i partisë Siriza, Aleksis Cipras, pranoi humbjen dhe tha se respekton vullnetin e popullit.
“Ia urova fitoren Kirjakos Micotakisit. Në demokraci, ndryshimi i pushtetit nuk është paradoks apo diçka jonormale. Ajo është esenca e demokracisë”,- u shpreh kryetari i SYRIZA-s, Aleksis Cipras.
Zaev uron Micotakisin për fitoren
Ndërkohë, kryeministri i vendit, Zoran Zaev, përmes një telefonate i ka uruar për fitoren dhe postin e kryeministrit të ri grek, Kyriakos Micotakisit.
“Kisha bisedë telefonike me Micotakisin, kryetarin e Demokracisë së Re dhe kryeministrin e ri të fqinjit tanë, Greqisë. E urova për fitoren në zgjedhje dhe i urova prosperitet dhe mirëqenie për Greqinë dhe popullit grek. Së bashku shpresojmë për vazhdim të bashkëpunimit mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, në pritje të takimit tonë të parë si kryeministra”,- është shprehur Zaev përmes një statusi në FB.
Osmani: Marrëveshja e Prespës nuk rrezikohet
Ndërsa zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i pyetur rreth ardhjes së Micotakisit në krye të qeverisë greke, i cili derisa ishte në opozitë kundërshtonte Marrëveshjen e Prespës, tha se kjo marrëveshje është ndërshtetërore dhe e garantuar ndërkombëtarisht.
“Tranzicioni demokratik është vlera më e madhe e një shoqërie demokratike me vet faktin se kush është në qeveri e kush jo. Kujtoj që Marrëveshja e Prespës është marrëveshje që i tejkalon kufijtë e vendimmarrjes së një partie politike, qoftë edhe e një qeverie, për shkak se është një marrëveshje ndërshtetërore, e garantuar ndërkombëtarisht, e firmosur dhe e nënshkruar nga Kombet e Bashkuara”,- tha zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.
VMRO-DPMNE: Koha të ik edhe Zaev, të gatshëm për marrëveshje të re
Nga VMRO-DPMNE theksuan se fitorja e Micotakisit është tregues i vullnetit të popullit, ndërsa, sipas tyre, është i nevojshëm edhe ndërrimi i pushtetit në vend, ndërsa nuk e përjashtojnë mundësinë për të rinegocionuar një marrëveshje të re me Greqinë.
“Vetë Micotakisi theksoi se ekziston mundësi për problematizimin e mëtejshëm të proceseve eurointegruese të Maqedonisë. Atë mundësi e ka në bazë të Marrëveshjes së Prespës. Në qoftë se z. Micotakis e hap atë temë, ka mundësi që të ulet në tavolinë me qeverinë e ardhshme në krye me VMRO-në, do ta riformulojmë marrëveshjen, por në asnjë mënyrë në atë pozicion monopolistik dhe me disa ekzibicione që i kanë bërë dyshja Zaev - Dimitrov, por me një ekip serioz, i cili edhe më tepër do t’i japë vlerë shtesë e këtij populli dhe e këtij shteti”,- tha Naum Stoillkovski nga VMRO-DPMNE.
LSDM: VMRO të mos shpresojë, nuk ndryshon pushteti në RMV
Por, nga LSDM u kundërpërgjigjën, duke porositur opozitën që mos të mbajnë shpresa se kryeministri, Zoran Zaev, dhe LSDM do të humbin zgjedhjet e ardhshme parlamentare, vetëm për shkak të humbjes së Aleksis Cipras dhe SIRIZA-s në Greqi.
“Të shpresosh se ai i cili e ka pranuar identitetin maqedonas, gjuhën, kulturën, e pikërisht për këtë ka humbur zgjedhjet në Greqi, është mungesë kulture politike. Dhe të shpresosh se ai që ka hapur dyert e Evropës, ai që i ka mundësuar perspektivë evropiane Maqedonisë sonë, duke e ruajtur më të shtrenjtën tonë, esencën e identitetit kombëtar, do të humbasë zgjedhjet e radhës, është kontradiktore dhe mungesë e kulturës politike”,- u shpreh deputeti i LSDM-së, Aleksandar Kiracovski.
Pritet që Micotakis shumë shpejt të shpall kabinetin qeveritar. Ndonëse mediat greke dolën me informacione për emrat e ministrave të rinj, Micotakis apeloi që opinion të jetë i durueshëm dhe të pres emërimin e ministrave.
ERSAN PAJAZITI
