Botë

Bosnjë, nis marshimi drejt Srebrenicës

08.07.2019 19:03

Rreth 6,000 njerëz nga fshati Nezuk, në verilindje të Bosnjës, nisën të hënën marshimin drejt Srebrenicës...

Ata planifikojnë të arrijnë atje pas tre ditësh, për të kujtuar 24-vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë hyrë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara. Në ditët që kanë pasuar, ato kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i kanë hedhur në gropa në pyjet përreth.
 
Derisa vrasjet kanë ndodhur për pak ditë, procesi i gjetjes së trupave ka marrë vite dhe identifikimi dhe varrimi i tyre vazhdojnë ende. Të enjten, më 11 korrik, në qendrën përkujtimore Potoçari në Srebrenicë do të bëhet varrimi kolektiv i viktimave të identifikuara gjatë vitit të fundit. Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur si gjenocid.
 
Ish-udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë, për masakrën në Srebrenicë dhe mizoritë e tjera gjatë luftës në Bosnje. Edhe ish-komandanti i forcave serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, është dënuar me burgim të përjetshëm për krime të luftës, përfshirë gjenocid.