Gjermania, Micotakis ta respektojë Marrëveshjen e Prespës

09.07.2019 10:05

Gjermania pret që Qeveria e re greke...

Gjermania pret që Qeveria e re greke të ketë rol konstruktiv në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Maqedoninë e Veriut.                    

Zëdhënësi i Qeverisë Shtefan Zajbert duke shprehur urimin e kancelares Angela Merkel për kryeministrin e ri grek Kiriakos Micotakis, tha se zgjidhja e kontestit shumëvjeçar për emrin nga ana e qeverive të Shkupit dhe Athinës është arritje historike që duhet të respektohet.

“Kancelarja Angela Merkel këtë e sqaroi disa herë. Kjo është arritje që mundëson normalizimin e marrëdhënieve mes Maqedonisë Veriore dhe Greqisë, dhe sinqerisht shpresojmë se qeveria e re greke në mënyrë konstruktive do të marrë pjesë në këtë proces pozitiv”, tha Zajbert.

Kërkesë që të respektohet Marrëveshja e Prespës dërguan edhe Të gjelbrit gjerman. Zëdhënësi i të Gjelbërve dhe deputet në Bundestag Manuel Saracin deklaroi se pret nga Qeveria e Micotakisit të vazhdojë me mbështetjen e Maqedonisë Veriore dhe të mos e rrezikojë ardhmërinë e vendit.