Samiti i Sarajevës, Meta dhe Bërnabiç përplasen për Kosovën

09.07.2019 11:33

Ne i kemi mbyllur çështjet e vështira si marrëveshjen për emrin me Greqinë...

“Ne i kemi mbyllur çështjet e vështira, si marrëveshjen për emrin me Greqinë, apo marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe presim datën për fillimin e bisedimeve me BE-në në vjeshtën e këtij viti".

Kështu deklaroi presidenti, Stevo Pendarovski, në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore që po mbahet në Sarajevë. BE-ja ka miratuar strategjinë për Ballkanin perëndimor dhe është kthyer shpresa në shoqëritë tona sa i përket plotësimit të kritereve të premtuara.

Në Maqedoninë e Veriut është njohur ky moment dhe kemi marrë hapa konkretë edhe me Marrëveshjen e Prespës edhe me Marrëveshjen e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë, duke mbyllur pyetjet e vështira të së kaluarës.

Kemi marrë rekomandim se Maqedonia e Veriut ka kryer pjesën e saj dhe tani presim që edhe BE dhe anëtaret e saj t’i plotësojnë obligimet e tyre.

Ndërkohë, Kosova përplasi presidentin shqiptar, Ilir Meta, dhe kryeministren serbe, Bërnabiç.

Në fjalimin e tij, presidenti Meta shprehu keqardhje që Kosova ishte e detyruar të mos marrë pjesë në këtë Samit, pasi nuk ishte ftuar të merrte pjesë si shtet. Dua të shpreh keqardhje që Republika e Kosovës, kryesuesja e radhës e samitit, ishte e detyruar mos të marrë pjesë.

“Është koha e duhur që Bosnjë dhe Hercegovina të shkojë përpara në njohjen e realitetit të Republikës së Kosovës, si vend i pavarur dhe sovran”, theksoi Meta. Por, një qëndrim i tillë i shkaktoi reagimin e kryeministres serbe, Bërnabiç, e cila e quajti provokim qëndrimin e Metës.

“Procesi i bashkëpunimit të Evropës juglindore nuk e njeh të ashtuquajturën Republika e Kosovës, ashtu si edhe nikoqirët, Federata e Bosnjë Hercegovinës.

Mendoj se është e dinjitetshme në aspekt diplomatik që këtë ta respektojmë sepse përveç nikoqirëve, përveç meje, si përfaqësuese e Serbisë, edhe disa shtete tjera nuk e njohin republikën e Kosovës, si Rumania, Moldavia, Greqia e të tjera”, theksoi Bërnabiç.

Në samit ishin të pranishëm përfaqësues të vendeve të Evropës juglindore, si dhe presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, i cili shprehu përkrahjen turke për integrimin e rajonit në strukturat euroatlantike.