Konstatohet dorëheqja e deputetit të RDK-së, Memedi: Zaev dhe Ahmeti, joseriozë në politikëbërje

09.07.2019 14:52

Kuvendi konstatoi dorëheqjen e deputetit të RDK-së....

Kuvendi konstatoi dorëheqjen e deputetit të RDK-së dhe nënkryetarit të kuvendit, Vesel Memedi. Në fjalimin e fundit në parlament, ai shprehu dëshpërimin nga kreu i ekzekutivit, Zoran Zaev, dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, për qasjen, siç e cilësoi, joserioze, dhe jo të ndershme, me ndryshimet kuadrovike në qeveri, ku nga posti i ministrit të pushtetit lokal u largua Suhejl Fazliu dhe u emërua Goran Milevski nga PLD. Sipas tij, BDI u dakordua të sakrifikojë një parti të vogël, për të mbrojtur  interesat e veta politike.
 
“Marrëveshja që ishte arritur shumë më herët në mes zotit Ahmeti dhe zotit Zaev për transformimin e Sekretariatit për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në ministri të posaçme dhe kështu nuk është e mundur që shqiptarët të udhëheqin me gjashtë ministri dhe ndërrimi i ministrive një për një, Ahmeti është menduar ta fshehë para shqiptarëve se ai nuk ka sakrifikuar asnjë ministri në kompensim për ministrinë e re, ndërsa zoti Zaev do ta shesë rrëfimin te maqedonasit se nuk ka lëshuar pe para zotit Ahmeti për një ministri më tepër, por se ka korrur sukses për Ministrinë e Pushtetit Lokal”,- deklaroi deputeti i RDK-së, Vesel Memedi.
 
Memedi: Pa i pastruar llogaritë e vjetra, opozita nuk konsolidohet
 
Memedi ka akuzuar edhe opozitën se nuk po arrin të konsolidohet e të bëhet korrektore e vërtetë e pushtetit, siç tha, për shkak të llogarive të vjetra të papastruara. 
 
“Mos ëndërroni se mund të konsolidohet opozita shqiptare dhe as ajo maqedonase me llogari të hapura të vjetra që i kanë në kredi ndaj institucioneve dhe qytetarëve që kanë hyrë në borxh në periudhën e kaluar, duke zgjedhur rrugën dhe angazhimin e tyre të gabuar politik. Këtë nuk e përkrahin as qytetarët dhe as faktori ndërkombëtar. Opozita e vërtetë ishim ne si një parti e vogël politike, që nuk kishte përkrahje financiare as nga brenda dhe as nga jashtë, dhe që nuk kishte rreth vetes figura dhe biznesmenë të korruptuar dhe grupe kriminale që do ta trasojnë rrugën nga duhet të ecim”,- tha deputeti i RDK-së, Vesel Memedi.
 
Memedi paralajmëroi qytetarët të përgatitet për masakrën e re që, sipas tij, do ta bëjë kjo qeveri ndaj buxhetit, sistemit të drejtësisë dhe administratës. Sipas tij, qytetarët në vend që të përfundojnë me bekimin “një shoqëri për të gjithë”, ata do shohin veten në një kazan të ferrit të madh për të gjithë. Në vendin e Vesel Memedit, tani në Kuvend vjen Arta Toçi nga Aleanca për Shqiptarët.
 
MERAL ISMAILI