Ligji për informatorët, pak i njohur, TI: Mungojnë personat e autorizuar në institucione
Katër vjet pas miratimit, Ligji për informatorët që duhej të ndihmojnë institucionet....

Katër vjet pas miratimit, Ligji për informatorët që duhej të ndihmojnë institucionet të zbulojnë korrupsionin, krimin dhe veprimet e tjera të paligjshme, fare pak po implementohet në praktikë.
Autoritetet thonë se dy janë arsyet për moszbatimin e tij. Institucionet nuk kanë persona të autorizuar dhe të trajnuar mirë për të filluar procedurën e denoncimit të dyshimeve të qytetarëve dhe mungon informim i duhur të qytetarëve për ligjin në fjalë.
“Kemi raste ku qytetarët dëshirojnë të paraqiten si informatorë, por si ata, edhe ne hasim në probleme të shumta për të filluar procedurën, sepse institucionet ende nuk kanë caktuar persona të autorizuar që do të pranonin denoncimet e informatorëve, për shembull Zyra e Avokatit të Popullit, Prokuroria Themelore Publike etj. Ndërsa Komisioni për Antikorrupsion dhe MPB ka caktuar persona të autorizuar, mirëpo mungon transparenca dhe informimi”,- u shpreh kryetarja e “Transparency - Macedoni”, Slagjana Taseva.
Pak më të inkurajuar për të paraqitur dyshimet në lidhje me rastet e korrupsionit dhe veprimet tjera të paligjshme ndjehen qytetarët nga Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit. Autoritetet thonë se për të pasur më shumë informatorë, ata duhen mbrojtur institucionalisht nga çdo pasojë ose rrezik që mund të hasin pas denoncimit të rasteve.
“Ne kemi person të autorizuar që punon me informatorët dhe deri tani kemi hapur 5 raste në bazë të denoncimeve ose informacioneve të informatorëve, ndërsa 3 raste tjera janë në procedurë e sipër për t’u hapur. Dy prej tyre veç më janë në përfundim e sipër dhe shumë shpejt do të informoheni për epilogun përfundimtar”,- theksoi kryetarja e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska.
Informatorët janë persona të cilët kanë ose posedojnë dyshime për veprimet e kryera të paligjshme nëpër institucione. Ligji për informatorët u miratua në vitin 2015, një vit më vonë hyri në fuqi, por pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias në vitin 2018 i njëjti sërish pësoi ndryshime. (Rexhep Qamili, TVM2)
