Maqedoni

Kryeministri bie pre e komedianëve rusë, Zaev: Pre e manipulimit të strukturave anti-NATO

09.07.2019 16:17

Kryeministri, Zoran Zaev, është “viktima” e fundit e shakave të komedianëve rusë...

Kryeministri, Zoran Zaev, është “viktima” e fundit e shakave të komedianëve rusë, Vlladimir Kuznecov dhe Aleksej Stolljarov, të njohur si Vovan dhe Leksus. Duke menduar se po bisedon me sekretarin gjeneral të NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe ish presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, kryeministri Zaev në fakt ka informuar komedianët rusë për politikën e jashtme, Marrëveshjen e Prespës, marrëdhëniet me Rusinë, BE-në dhe NATO-n. Zaev me komedianët ka folur edhe rreth marrëdhënieve Kosovë – Serbi dhe temës për shkëmbimin e territoreve, që, sipas Zaevit, nuk është e pranueshme, pasi idetë e tilla janë treguar në të kaluarën si shkaktare të luftërave. Vetë kryeministri thotë se ra   pre e manipulimit, siç e quajti, të një strukture të mirëorganizuar anti-NATO. 
 
“Kjo është një nga ato përpjekjet për dëmtim direkt të interesave tona strategjike, që ta përfundojmë procesin tonë për anëtarësim të plotfuqishëm në NATO. Ato janë struktura të mirëorganizuara për shpërndarje të ndikimit të palës së tretë. Ajo nuk është vështirë të vlerësohet, se ajo është ashtu, kur tashmë është e dukshme se manipulimi kur ato vijnë nga media, propaganda, me qëndrime të shprehura anti-NATO, kurse në vendin tonë të parat i kanë përcjellë kanalet mediale të cilat për çdo ditë shpërndajnë të pavërteta anti-NATO dhe dezinformata. Në këtë rast me të e diskretitimit politik jam unë, por nuk jam i vetmi”,- tha kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.
 
Zaev pranoi autencitetin e bisedës, por mohoi vetëm pjesën për statusin e kishës, duke theksuar se një pjesë e bisedës është nxjerrë nga konteksti. Ai tha se nuk ka shpërndarë informata me interes shtetëror. Për këtë rast ai kërkoi falje, por tha se nuk ka ndërmend të japë dorëheqje. 
 
“Nuk kam asnjë qëllim të jap dorëheqje, nga ky proces do të dalim edhe më të fortë, nuk mendoj se duhet të “shtrëngoj” komunikimin tim, dua të bisedoj dhe të ndaj informata, unë jam shumë i hapur, por për fat të keq ndonjëherë kjo gjë sjell gjëra të hidhura”,- tha kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.
 
Komedianët rusë, Vlladimir Kuznecov dhe Aleksej Stolljarov, gjatë prillit kanë arritur ta mashtrojnë edhe presidentin e Francës, Emanuel Makron, i cili mendonte se po fliste me presidentin e ri ukrainas, Vlladimir Zelenski. Në maj të 2018-s, dyshja komike ruse foli me ish ministrin e Punëve të Jashtme të Britanisë, Boris Xhonson, duke u prezantuar si kryeministri i Armenisë, Nikoll Pashijan.
 
ERSAN PAJAZITI