Maqedoni

Pendarovski në Samitin në Sarajevë: Mbyllëm çështjet e hapura, BE të sjellë vendimin

09.07.2019 17:57

Maqedonia e Veriut i ka mbyllur çështjet e hapura me fqinjët....

Maqedonia e Veriut i ka mbyllur çështjet e hapura me fqinjët dhe pret datën për fillimin e bisedimeve me BE-në në vjeshtën e këtij viti. Kështu ka deklaruar presidenti, Stevo Pendarovski, në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, që po mbahet në Sarajevë. Koha është që BE të sillet si lidership, me vizion, dhe të miratojë vendimet e duhura, ka thënë Pendarovski.
 
“Të gjithë e dimë se fillimi i bisedimeve nuk nënkupton anëtarësim momental të Maqedonisë së Veriut në BE, por fillim të një procesi të gjatë, i cili do të zgjat me vite. Tani nuk është koha për justifikime dhe tërheqje nga premtimet e dhëna, por për vendime të guximshme që do të hapin perspektiva të reja për rajonin tonë. BE-së, vendeve anëtare, vendeve kandidate për anëtarësim dhe idesë evropiane, u duhet udhëheqësi e guximshme dhe vizionare, gatishmëri të përgjigjet për të gjitha sfidat. Duhet lidership evropian, të njohë kohën e duhur dhe të sjellë vendime të duhura. Integrimi i plotë i vendeve të rajonit tonë në BE do të ndikojë pozitivisht në stabilitetin e kontinentit evropian”,- tha kryetari i shtetit, Stevo Pendarovski.
 
Mospjesëmarrja e Kosovës në Samit, Meta: Pranoni realitetin, Kosova është shtet
 
Marrëdhëniet e mira me fqinjët për një Ballkan stabil, nuk janë problem vetëm për Maqedoninë e Veriut. Mospjesëmarrja e autoriteteve të Kosovës në Samit sepse u ftuan me fusnotë e jo si shtet, shkaktoi reagimin e presidentit shqiptar, Ilir Meta.
 
“Dua të shpreh keqardhje që Republika e Kosovës, kryesuesja e radhës e samitit, ishte e detyruar të mos marrë pjesë. Është koha e duhur që Bosnjë dhe Hercegovina të shkojë përpara në njohjen e realitetit të Republikës së Kosovës si vend i pavarur dhe sovran. Si mund të pretendojmë se kemi bashkëpunim të suksesshëm rajonal, në qoftë se disa nga pjesëmarrësit në Samit bëjnë gjithçka që t’i përjashtojnë disa shtete nga mundësitë që të përfitojnë nga nismat rajonale?”,- u shpreh presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
 
Bërnabiq: Meta provokon, Kosova refuzoi të marrë pjesë
 
Qëndrimi i presidentit Meta për Kosovën u quajt provokim nga kryeministrja e Serbisë, Anan Bërnabiq.
 
“Propozoj t’i përmbahemi temës së procesit për stabilitet rajonal, respektimit njëri ndaj tjetrit dhe mos të shfrytëzojmë rastin për provokim, ashtu siç bëri presidenti Meta. Edhe mua më vjen keq që Prishtina, respektivisht përfaqësues të institucioneve të përkohshme në Prishtinë, nuk janë këtu. Kjo nuk tregon asgjë tjetër, përveç asaj se si Prishtina në këtë moment e sheh bashkëpunimin rajonal”,- tha kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.
 
Me vendimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që vendosi të mos shkojë në Sarajevë për shkak të trajtimit të tillë ndaj Kosovës nga Presidenca e Bosnjë dhe Hercegovinës, u solidarizua edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili nuk iu përgjigj pozitivisht ftesës.
 
Kosova është kryesuesja në 12 muajt e ardhshëm me Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, që është lansuar në Bullgari në vitin 1996. Qëllimi i kësaj iniciative është përforcimi i bashkëpunimit politik dhe i sigurisë, intensifikimi i bashkëpunimit të shteteve në sferat e ekonomisë, demokracisë, gjyqësisë, të drejtat e njeriut dhe lufta kundër aktiviteteve ilegale. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU