Maqedoni

Përgjimet për Rashkovskin, Zaev: Duan ta njollosin, nuk ka korrupsion

09.07.2019 18:16

Kryeministri Zaev nuk e ka ndërmend të shkarkojë sekretarin gjeneral të Qeverisë, Dragi Rashkovskin....

Kryeministri Zaev nuk e ka ndërmend të shkarkojë sekretarin gjeneral të Qeverisë, Dragi Rashkovskin, pas bisedave të përgjuara që dolën në opinion. Zaev e cilëson gjithë këtë histori si të montuar, e sqaron se bëhet fjalë për një tender nga shtatori i 2016-s, në finalizimin e të cilit në bisedat konsultative, me sugjerime dhe ide, kanë marrë pjesë të gjithë funksionarët të cilët kanë qenë të brengosur me aktin e realizimit final të projektit. 
 
“Edhe unë kam mbajtur takime, por edhe funksionarët e tjerë, ku kemi dhënë drejtime dhe sugjerime, dhe me vendim kemi angazhuar Rashkovskin si përgjegjës. Hetimet do të tregojnë se në këto takime kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e kompanisë, edhe unë personalisht e di se çfarë drejtimi i kam dhënë kësaj procedure për tender dhe tani të dilet dhe t’i njolloset gjithë ai angazhim i tij, se gjoja po kërkon mito dhe ta fajësojmë për korrupsion, nuk qëndron, sepse aty nuk ka korrupsion”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Përgjimet për tenderin në M-NAV. TI: Publikuesi nuk gëzon statusin e informatorit
 
Nga “Transparensi Interneshënëll” janë të prerë se personi që e zbardhi skandalin me tenderin në M-NAV nuk e ka respektuar Ligjin për mbrojtjen e informatorëve, e si i tillë nuk mund të gëzojë mbrojtje institucionale si informator. 
 
“Situatat për të cilat po flisni, ku po publikohen, që janë siguruar në baza të rrugëve të ndryshme, të njëjtat, sipas situatës dhe ligjit aktual, nuk mund të trajtohet si burim tregues, nëse nuk janë respektuar paraprakisht mekanizmat tjera. Ligji momental njeh edhe publikim publik, por vetëm nëse janë zbatuar paraprakisht procedurat ligjore”,- tha Sllagjana Taseva nga “Transparensi Interneshënëll”.
 
Ndryshimet në e shalonin e tretë, Zaev: 14 vendime u miratuan, bisedojmë për të tjerat
 
Ngadalë ecin procedurat për ndryshimet e zëvendësministrave dhe drejtorëve të paralajmëruara se do të fillonin më 9 korrik. Zaev thekson se aktualisht janë miratuar vetëm 14 vendime për drejtorët e rinj, e për pjesën tjetër pohoi se vazhdojnë diskutimet  brenda partisë dhe mes partnerëve të koalicionit.
 
“14 vendime janë miratuar, por duhet edhe të paktën 10 të tjera. Nuk është ideja vetëm të shkarkohen, por duhet biseduar edhe me kandidatët potencialë, kushtet e tyre, janë për pozicionet e tyre ose jo. Kur do t’i kemi të gjitha vendimet, do t’i kumtojmë. Për një pjesë të tyre Qeveria sjell vendim, ndërsa pjesën tjetër e bëjnë ministrat me vendimin e tyre dhe në fund Qeveria vendos bashkërisht”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Edhe pse në opinion kanë filluar të përfliten pozicionet eventuale dhe drejtoritë që  do të shkëmbehen mes partnerëve të koalicionit, as kryeministri e as nga BDI nuk dëshirojnë të japin emra në këtë moment. Vendimi rreth ndryshimeve eventuale pritet të merret në fund të javës që vjen.
 
FITIM KRYEZIU