Kulturë
Teatri i Kumanovës, të mërkurën në orën 20:00 premiera “39 Shkallët”
09.07.2019 18:43
Teatri Shqiptar i Kumanovës, po bën përgatitjet e fundit për të shfaqur premierën e re “39 Shkallët”....

Është kjo një parodi nga romani i John Buchan, e në regji të Ilir Bokshit. Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Qazmedin Nuredini, Lena Kryeziu Bokshi, Sefedin Shabani si dhe Ismail Kasumi, të cilët njëherit paralajmërojnë edhe një premierë të suksesshme dhe presin numër të madh artdashësish.
“Është një nga rolet më të vështira gjatë këtyre 10 viteve karrierë që kam në teatër, është një rol që kërkon shumë energji, ka ndërrime të personazheve. Luaj tre role të ndryshme dhe secili prej karaktereve kërkon veçanti, dhe për atë ka qenë shumë sfidues si rol. Presim ta shohim se si po e pret publiku”,- tha aktorja, Lena Kryeziu Bokshi.
“Bëhet fjalë për një personazh që gabimisht akuzohet për një vrasje, i cili do të ndodhet në një seri ndodhish e që do të fillojë që nga fillimi. Ikja e tij deri në fund deri atëherë kur të zgjidhet problemi. Pra, personazh që padashje hyn në disa ujëra dhe që e gjithë shfaqja i kalon në ikje”,- u shpreh aktori, Qazmedin Nuredini.
Premiera e shfaqes do të jetë të mërkurën me fillim në orën 20:00, ndërkaq repriza do të jetë të enjten me fillim në orën 20:00. Nga Teatri Shqiptar i Kumanovës paralajmërojnë se kjo shfaqe do të jepet edhe në qytete tjera.
FATLUM AQIFI
GAZETAR:
FATLUM AQIFI
