Rasti "Trajektorja", mungon eksperti, anulohet gjykimi
Gjykimi për procedurën e zgjedhjes së kompanisë për ndërtimin e autostradave Milladinovc-Shtip dhe Kërçovë-Ohër...

Gjykimi për procedurën e zgjedhjes së kompanisë për ndërtimin e autostradave Milladinovc-Shtip dhe Kërçovë-Ohër, i njohur si rasti "Trajektorja", u anulua për shkak të mungesës së ekspertit të ftuar i cili duhej të japë mendim për ekspertizën në këtë lëndë.
Seanca e radhës është caktuar për më 3 shtator. Në fund të seancës prokurorja, Lile Stefanova, iu drejtua të akuzuarit, Mile Janakievski, duke i thënë se me grevën e urisë "Ai vet po e shkatërron jetën e tij", me ç’rast Janakievski iu përgjigj se "Kjo nuk është jetë".
Ish ministri Janakievski aktualisht është në paraburgim në burgun e Shutkës nën akuzën për shitje të tokës shtetërore të firmave të cilat më pas nuk i kanë ndërtuar hotelet e parapara.
Si shenjë revolti për masën e shqiptuar të paraburgimit, Janakievski tani më shumë se dhjetë ditë refuzon ushqimin e burgut.
GREVA E JANAKIEVSKIT, MILLANOV: JANAKIEVSKIT I VËSHTIRËSOHET GJENDJA
Avokati mbrojtës i Janakievskit, Elenko Milanov, tha se gjendja e tij shëndetësore po vështirësohet dhe ajo është një nga kushtet për ndërrimin e masës së paraburgimit me masë më të lehtë për sigurimin e të akuzuarit.
Millanov konfirmoi se Janakievski mbrëmë është dërguar në Spitalin “8 shtatori” pas ankesave për dhimbje të shumta në veshkë, ndërsa pas ndihmës mjekësore, i njëjti është kthyer në burgun e Shutkës.
Sipas tij, ai gjithmonë ka qenë i kapshëm dhe i ka respektuar masat e caktuara nga gjykata, ndërsa paraburgimi është i tepërt në këtë rast.
“Sa e di unë akoma është në grevë urie, refuzon pranimin e ushqimit, kështu që me siguri edhe kjo që ndodhi dje është pasojë e asaj gjendje me refuzimin e ushqimit. Ndërsa kam informata se edhe Avokati i Popullit e ka vizituar dhe ia ka treguar të gjitha arsyet se pse dhe si e mban grevën. Në kushtet e burgut të Shkupit të futet ushqim pa dijeninë e shërbimeve, besoni se është absurd”,- tha avokati mbrojtës, Elenko Millanov.
Në rastin "Trajektorja", përveç Mile Janakievskit, gjykohet edhe ish kryeministri, Nikolla Gruevski, ish zëvendëskryeministri, Vlladimir Peshevski, dhe ish drejtori për rrugë shtetërore, Lupço Georgievski.
Sipas aktakuzës, ata në vitin 2012-2013 kanë tejkaluar autorizimet e tyre në procedurën për zgjedhjen e kompanisë për ndërtimin e autostradave. Me këtë veprim ata kanë dëmtuar buxhetin për të paktën 155 milion euro. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)
