Maqedoni
Moti, vendi kaplohet nga stuhia
10.07.2019 17:29
Moti jostabil, me shi të rrëmbyeshëm, erë të fortë dhe bubullima, ka goditur vendin....

Këtë pasdite, një stuhi e shkurtër goditi Shkupin dhe moti me shi ishte i pranishëm edhe në pjesën tjetër të vendit. Sipas meteorologëve, reshje intensive të shiut pritet të ketë gjatë mbrëmjes.
Enti Hidrometeorologjik në faqen e tij të internetit ka lëshuar një paralajmërim në të cilin parashikuesit e motit paralajmërojnë se do të ketë reshje intensive të shiut dhe stuhisë. Në disa pjesë, shkarkimet elektrike pritet të jenë më intensive në formën e stuhive me erë të fortë, breshër dhe më shumë reshje. Destabilizimi i motit sipas Entit Hidrometeorologjik është për shkak të përplasjes së dy rrymave, e nxehtë dhe e ftohtë. Temperatura minimale do të jetë mes 12 dhe 20 gradë celsius, kurse ajo maksimalja prej 24 deri më 31 gradë celsius.
Reshjet e shiut dhe erës së fuqishme kanë filluar mbrëmë pasmesnate në Dibër, ku era e fuqishme me bubullima dhe furtunë kanë shkaktuar mjaft probleme. I gjithë qyteti për një kohë ka mbetur pa rrymë, janë rrëzuar drunj, duke ndërprerë edhe komunikacionin në qendër të qytetit si dhe në aksin rrugor Dibër - Shkup. Një dru i çarë ka rënë mbi kioskë të cilës i ka dëmtuar rëndë çatinë, por për fat të mirë nuk ka dëme në njerëz.
Prej nesër pritet stabilizim i motit, që sipas meteorologëve do të zgjasë deri të shtunën. Reshje të reja shiu pritet të ketë nga e diela, të cilat në disa pjesë do të jenë më intensive.
ERSAN PAJAZITI
