Maqedoni

Skandali me bisedat, Zaev: Pësimi, mësim. Do të vazhdoj komunikimin me miqtë

10.07.2019 17:43

Edhe pas skandalit me bisedat telefonike mes kryeministrit, Zoran Zaev....

Edhe pas skandalit me bisedat telefonike mes kryeministrit, Zoran Zaev, dhe komediantët rusë, Zaev thotë se jo vetëm që nuk ka në plan të japë dorëheqje dhe të bëjë qeveri teknike, nuk ka në plan as të mbyll komunikimin me miqtë ndërkombëtarë. Përsëriti qëndrimin se ka marrë mësim nga ky pësim, prandaj do të jetë më i kujdesshëm.
 
“Kërkimi i përgjegjësisë për protokoll ose diçka tjetër, mendoj se mund ta sqarojë duke iu thënë se nuk ka protokoll që mund të më kufizojë nëse dua t’ju telefonoj juve, nëse dua t’i paraqitem kryeministrit Haradinaj, kryeministres Bërnabiç, kryeministrit kroat Andrej, ose kujtdo tjetër”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
I pyetur rreth pjesës së bisedës që ka të bëjë me ndarjen e Kosovës, Zaev thotë se nuk ka folur në bazë të informacioneve të marrë nga Prishtina apo Beogradi, por në bazë të informacioneve të plasuara në media.
 
“Ashtu siç flas, them se po dëgjohet, askush me mua nuk ka ndarë informacione as pala kosovare e as ajo serbe, sepse ajo është çështje bilaterale, ne si miq jemi këtu të inkurajojmë zgjidhje. Të gjithë duam të ketë zgjidhje të problemeve”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Shekerinska: Nuk është thyer siguria
 
Truku i komedianëve rusë nuk ka cenuar sigurinë e vendit, konfirmon ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska. 
 
“Në këtë sulm nuk është thyer asgjë nga siguria jonë, prandaj nuk mund të bëhet fjalë për rrezikim të prioriteteve tona strategjike. Por, kuptohet se edhe ne duhet ta ndryshojmë kulturën tonë të sigurisë dhe të verifikojmë 10 herë”,- u shpreh ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
 
Sipas ministres së mbrojtjes, sulme të tilla dhe të ngjashme janë të pritshme nga palët që duan të pengojnë anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE, prandaj duhet syçelësi dhe konfirmim të shumëfishtë të informatave.
 
SHPËTIM NUREDINI