Maqedoni

Qeveria miraton pr/ligjin për arsim fillor dhe zhvillim në karrierë, pritet të hyjnë në fuqi në vitin e ri shkollor

10.07.2019 18:31

Qeveria miratoi dy ligje, atë për arsim fillor dhe Ligjin për zhvillimin e karrierës së mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë....

Sipas ministrit, Arbër Ademi, u inkorporuan të gjitha vërejtjet konstruktive dhe ato do të bëhen pjesë e sistemit juridik me qëllim të avancimit të procesit mësimor. Nuk do të ketë zvogëlim të numrit të orëve, por zvogëlim të numrit të nxënësve në paralele si dhe inkluzion i nxënësve me aftësi të kufizuara në shkollat e rregullta.
 
“Numri i nxënësve në paralele, klasa, do të jetë prej 20 deri në 30 nxënës. Minimumi i deritanishëm ishte 24 nxënës, ndërsa maksimumi 34 nxënës. Paralelja  e kombinuar do të ketë maksimum deri në 10 nxënës. Me përjashtim mund të formohet paralele me 15 nxënës për lëndët  zgjedhore. Ligji parashikon përfshirjen e të gjithë nxënësve me nevoja të posaçme në shkolla të rregullta. Shkollat e posaçme do të transformohen në qendra burimore, ndërsa paralelet e posaçme në qendra për mbështetje dhe të njëjtat nuk do mund të regjistrojnë nxënës në vitin shkollor 2023- 2024. Ndërsa nxënësit e regjistruar deri në këtë vit, do të vazhdojnë arsimin fillor. Do të ketë mbështetje për shkollat për realizimin e inkluzionit dhe ky është ndër hapat më të mëdhenj që i kemi ndërmarrë në këtë drejtim”,- deklaroi ministër i Arsimit, Arbër Ademi.  
 
Prej vitit të ri shkollor, Ligji për mësimdhënësit dhe bashkëpunëtorët profesionalë do të sigurojë motivim më të madh për punë dhe avancimin e arsimtarëve në karrierë në përputhje me stazhin dhe arritjet e tyre. 
 
“Kemi paraparë zgjidhje konkrete sa i përket zhvillimit profesional, zhvillimit në karrierë, duke paraparë shkallë konkrete për avancim në karrierë, në përputhje me rezultatet e tyre, përvojën e tyre dhe me të arriturat e mësimdhënësve dhe çdo ngritje në karrierë do të ketë implikime financiare në aspekt të ngritjes së rrogës”,- u shpreh ministri i arsimit, Arbër Ademi.
 
Ministri Ademi theksoi se planifikon takime pune me të gjitha partitë politike dhe diskutim konstruktiv në Kuvend, ndërkohë pas përfundimit të diskutimeve pritet ligjet të miratohen dhe të hyjnë në fuqi me fillimin e vitit të ri shkollor. 
 
FLUTURA LATIFI