Maqedoni
Zaevi e telefonoi Thaçin, i kërkoi falje për bisedën me komedianët rusë
11.07.2019 11:00
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mbrëmë ka biseduar në telefon me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut...

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mbrëmë ka biseduar në telefon me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, lidhur me përgjimin telefonik të Zaevit me disa komedianë rusë që ishin paraqitur me identitet të rremë. Thaçi ka deklaruar se Zaevi i ka kërkuar atij falje për informatat që i ka dhënë në pjesën për Kosovën komedianëve rusë.
“Unë mbrëmë kam zhvilluar një bisedë tjetër rreth 20 minuta me Zaevin, kryeministri më ka thirrur mua si president i Kosovës për t’u sqaruar në atë çka ai ka biseduar me njerëzit të cilët e kanë thirrur, më ka thënë shumë qartë se ka qenë një rrethanë në të cilën ka rënë preh e mashtrimit dhe e gjitha çfarë ka folur për gjoja 10 komunat e Kosovës, që gjoja do t’i jepen Serbisë, i ka folur duke u bazuar në thashetheme, në dezinformata dhe në të dhënat apo lansimet e gazetës “Sputnik” dhe thashethemeve ruse. Më ka kërkuar falje mua personalisht, por edhe Kosovës, në të njëjtën kohë ka potencuar se ato çfarë ai ka folur me mashtruesit të cilët e kanë thirrur në telefon janë gjëra të cilat nuk qëndrojnë në raport me Kosovën dhe se në të njëjtën kohë ka potencuar qartë se nuk ka asnjë fakt, asnjë evidencë apo informacion zyrtar nga askush për atë që ka deklaruar, por të gjitha i ka të dëgjuara nga thashetheme lokale dhe ndërkombëtare dhe në të njëjtën kohë në veçanti të prezantuara dhe lajme të rrejshme të gazetës ruse “Sputnik”. Raportet e Kosovës me Maqedoninë e Veriut kanë qenë dhe do të mbesin korrekte, të fqinjësisë së mirë dhe se Kosova do të vazhdojë të fuqizojë perspektivën euroatlantike. Unë kam zhvilluar fushatën mbështetëse për referendumin e Maqedonisë për ndryshimin e emrit dhe bashkëpunimin presidencial, por të gjitha institucionet do të mbeten në kuadër të bashkëpunimit të standardeve evropiane. Ta them të drejtën mashtruesit kanë pretenduar të depërtojnë edhe në zyrën time, por është fakt se prej institucioneve të Kosovë këtu ku punoj në presidencë ka pasur kujdes maksimal, pasi nuk mund të flasë me dikë paraprakisht pa qenë i informuar, pa i njohur temat të cilat mund t’i flasë dhe pa u lidhur të dyja kabinetet se me kë do të flasë. Ka qenë para 7-8 muaj kjo përpjekje për të biseduar, por kabineti ka bërë punë profesionale dhe kanë pamundësuar bisedën e këtyre dy mashtruesve me ne. Ndërsa presidentin Poroshenko e kam takuar në disa takime dhe ishte me vullnet të mirë. Do të thotë kemi biseduar live, por jo në telefon”,- deklaroi presidenti i Kosovës, Hashim Thaci.
