Maqedoni
Biseda e Zaevit me komedianët rusë, Spasovski: Protokolli, përgjegjësi e qeverisë
11.07.2019 11:59
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, tërheq çfarëdolloj përgjegjësie që mund të bie mbi Ministrinë e Punëve të Brendshme...

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, tërheq çfarëdolloj përgjegjësie që mund të bie mbi Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ndaj tij si ministër për sa i përket skandalit që i ndodhi kryeministrit Zaev, i cili bisedoi lirshëm me dy komedianët rusë, duke menduar se fliste me ish presidentin e Ukrainës, Poroshenko, dhe sekretarin gjeneral të NATO-s, Stoltenberg. Sipas Spasovskit, aspekti i sigurisë protokollare rreth bisedave telefonike të kryeministrit, bie nën përgjegjësinë e Qeverisë dhe jo të MPB-së.
“Ka protokolle dhe mënyra se si të komunikohet në bisedat zyrtare të secilit person që mban funksion shtetëror publik në vend dhe duhet të mbikëqyren këto protokolle. Ju po shihni se jo vetëm te ne, por edhe në vendet më të zhvilluara po ndodhin gjëra të tilla, por ato nuk janë nën kontrollin e MPB-së. Kjo dhe mënyra e komunikimit është obligim dhe përgjegjësi e kabineteve qeveritare, prandaj në këto rrethana mendoj se ata do të duhet të zotërojnë një zgjuarsi më të madhe, të përcillen sugjerimet dhe të respektohen protokollet”,- deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Kërcënimet nga profili i “El Chekës”, Spasovski: Nuk kemi indicie për kërcënim të sigurisë
I pyetur për kërcënimet ndaj sigurisë që vijnë nga profili i “El Chekës” në rrjetet sociale, i cili në një nga postimet e fundit pohoi se ngjarjet si në Kumanovë do të ndodhin edhe në Shkup, Spasovski tha se gjendja e sigurisë është stabile dhe nuk ka asnjë sinjal shqetësues.
“Edhe Ministria e Punëve të Brendshme, por edhe institucionet tjera të cilat janë të obliguara në zbatimin e ligjit, janë duke i ndërmarrë të gjitha aktivitetet e tyre në bazë të përgjegjësive që kanë rreth sigurisë në vend dhe prandaj mund të them se gjendja e sigurisë është stabile, e qetë dhe nuk ka asnjë indikacion për prishjen e rendit dhe sigurisë publike”,- u shpreh ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Spasovski sqaron se jo vetëm Maqedonia, por edhe vendet më të zhvilluara, janë cak i sulmeve hibride, prandaj në MPB ekziston sektori që merret me krimet kompjuterike, i cili, në bashkëpunim me Ministrinë e Shoqërisë Informative, është duke e përgatitur strategjinë për “siguri sajberike”.
FITIM KRYEZIU
