Maqedoni

Kryqi i Kuq me fushatë për ndihmën e parë “Padituria jote kushton jetë”

11.07.2019 15:25

Dhënia e ndihmës së shpejtë mund të shpëtojë jetë njerëzish, apo zvogëlimin e komplikimeve...

Dhënia e ndihmës së shpejtë mund të shpëtojë jetë njerëzish, apo zvogëlimin e komplikimeve dhe invaliditetit që mund të shkaktohet gjatë aksidenteve në komunikacion. Për këtë qëllim prej më 15 korrik deri më 15 shtator, Kryqi i Kuq i Maqedonisë së Veriut do të realizojë fushatë verore “Padituria jote kushton jetë”, që ka për qëllim rifreskimin e njohurive të shoferëve dhe qytetarëve në përgjithësi për dhënien e ndihmës së parë gjatë aksidenteve në komunikacion, kurse falas për  shoferët. Qëllimi i kësaj fushate është rritja e ndërgjegjësimit dhe  përvetësimi i njohurive për nevojën e dhënies së ndihmës së parë në komunikacion në rast aksidenti, me qëllim të pakësimit të numrit të viktimave në komunikacion.
                               
“Do të mbahen kurse falas për rifreskim për shoferët në 33 organizata komunale të Kryqit të Kuq. Gjithsej do të përfshihen  8.000 shoferë. Kryqi i Kuq ju fton të merrni pjesë në kurset falas që do të mbahen në çdo organizatë komunale nga 15 korriku deri më 15 shtator. Mbajeni mend padituria kushton jetë”,- deklaroi sekretari gjeneral i Kryqit të Kuq të RMV-së, Sait Saiti.
 
“Do t’i kisha lutur të gjithë ata që janë pjesëmarrës të rregullt në komunikacion, të gjithë ata që nuk kanë besim në njohuritë e veta për të dhënë ndihmën e parë në rast të aksidenteve, të gjithë të ndajnë shumë pak orë këtë verë, të drejtohen në qendrat e Kryqit të Kuq”,- theksoi aktivistja, Anita Latifi. 
 
Përveç shoferëve, fushata synon të përfshijë edhe grupet e margjinalizuara, si personat me nevoja të veçanta. Po ashtu nga Kryqi i Kuq theksojnë se fushata do të zgjerohet edhe me përfshirjen e qytetarëve në përgjithësi, përfshirë edhe nxënësit e shkollave të mesme, si potencial për shofer të ardhshëm të cilët kanë nevojë për njohuri rreth ndihmës së parë.
 
Fushata synon uljen e numri të viktimave dhe të lënduarve nga aksidentet në komunikacion, pasi të dhënat e MPB-së flasin se në vitin 2016 ka pasur 165 viktima në aksidentet e trafikut dhe 5.971 të lënduar, në vitin 2017 ka pasur 155 viktima dhe 6.224 persona të lënduar, ndërsa në vitin 2018 kishte 133 viktima dhe 5.860 persona të lënduar.  
 
VLORA LATIFI