Maqedoni

MPB: Filloi seleksionimi i policëve të rinj

11.07.2019 15:43

Në Qendrën e trajnimeve në MPB në Idrizovë, po vijon selektimi i 600 kandidatëve nga 2391 kandidatë....

Në Qendrën e trajnimeve në MPB në Idrizovë, po vijon selektimi i 600 kandidatëve nga 2391 kandidatë të paraqitur, prej të cilëve 1940 meshkuj dhe 451 femra nga të gjitha nacionalitetet.
 
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ishte i pranishëm gjatë seleksionimit në pjesën e përgatitjes fizike të kandidatëve për nëpunës policorë. Ai sqaroi se pason edhe seleksionimi i përgatitjes psikofizike, testimi i përgjithshëm arsimor, intervistat, kontrollet e sigurisë dhe kontrollet shëndetësore. Më pas komisioni do të përzgjedh më të mirët prej kandidatëve të paraqitur në konkurs.
 
“Kur do përfundojë i tërë procesi i selektimit, kandidatët do të fillojnë trajnimin, i cili është në tre pjesë nga katër muaj. Kemi pjesë teorike dhe praktike. Për çdo pjesë do të kemi rang listë dhe do të kemi 600 kandidatë për pranim. Në Ligjin për punë të brendshme është paraparë që në trajnim të marrin pjesë 10 për qind më shumë kandidatë sesa numri i kërkuar. Do të nënshkruajmë marrëveshje me 660 kandidatë të cilët do të ndjekin trajnimin dhe në fund do të pranohen vetëm 600 kandidatë më të mirë”,- tha ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
 
Sipas Spasovskit, seleksionimi i tillë ka për qëllim që kandidatët të jenë të motivuar dhe të garojnë mes vete sa i përket rezultateve që do të arrijnë, që të mund të përzgjidhen më të mirët prej tyre.
 
FLUTURA LATIFI