Maqedoni

Osmani: U zhgënjyem nga mosmarrja e datës në qershor

11.07.2019 16:16

Mosmarrja e datës për fillimin e bisedimeve në Samitin e qershorit ishte zhgënjim për vendin tonë...

Mosmarrja e datës për fillimin e bisedimeve në Samitin e qershorit ishte zhgënjim për vendin tonë, sepse kushtet ishin plotësuar dhe ky konstatim ishte i qartë nga vet BE, thotë zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani. Ai përsërit faktin se kjo situatë erdhi vetëm për shkak të problemeve të brendshme të BE-së dhe jo për arsyet e shtetit tonë. Osmani thotë se edhe pse nuk morëm datë, koha është shfrytëzuar racionalisht, duke rrumbullakuar procesin e skriningut, që pritet të përfundojë në dhjetor. Ai është optimist se në fund të vitit bisedimet fillojnë në fazën e skriningut bilateral.
 
“Është e vërtetë që jemi të zhgënjyer nga mosmarrja e vendimit që në qershor të 2018-s, për shkak se ne i kishim plotësuar të gjitha kushtet dhe kjo ishte konstatim i të gjithëve. Mirëpo, ne jemi partner kredibil i BE-së dhe ne kuptojmë kur partnerët tanë kanë vështirësi, sikurse ata presin të na kuptojmë ne kur kemi vështirësi dhe kështu ndërtohet partneriteti. Momentalisht BE ka vështirësi brenda për shkak temave dhe aspekteve të ndryshme që kanë vendet anëtare dhe unë kujtoj që gjatë kësaj periudhe ne do t’i kalojmë vështirësitë edhe brenda edhe atje, dhe në tetor pres të marrim vendim për fillimin e bisedimeve”- tha zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.
 
Ndërkaq, deri në tetor, Osmani inkurajon fokusimin e shtetit në progres dhe të mos krijohen probleme të reja dhe me këtë, sipas Osmanit, të ruhet vullneti i njëjtë i vendeve të BE-së për Maqedoninë e Veriut në Samitin e tetorit. Osmani informoi se me ministrin Dimitrov planifikojnë një agjendë intensive dhe takime me autoritetet e vendeve të BE-së për t’i bindur ata, sidomos vendet skeptike në dhënin e datës për fillimin e negociatave me BE-në.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU