Botë

Greqi, shtatë të vdekur nga stuhia në Halkidiki

11.07.2019 16:47

Shtatë persona të vdekur, në mesin e të cilëve dy fëmijë si dhe dhjetëra të tjerë të lënduar...

Shtatë persona të vdekur, në mesin e të cilëve dy fëmijë si dhe dhjetëra të tjerë të lënduar, është numri i viktimave të shkaktuara nga stuhia e fuqishme, e cila natën e mbrëmshme e goditi rajonin grek, Halkidiki. Moti i keq, i shoqëruar me erë të fortë dhe shi të rrëmbyeshëm, i cili zgjati diku rreth 20 minuta, shkaktoi përmbytje dhe dëme të mëdha materiale, ndërpreu energjinë elektrike, shkuli drunj, rrotulloi automjete, si dhe shembi çati.
 
Menjëherë pas mesnate u shpall gjendje e jashtëzakonshme në pjesën më të madhe të krahut, ndërsa ministri i mbrojtjes civile të Greqisë u shprehu dhembjen dhe ngushëllimet e tij familjarëve të viktimave, ndërsa zëdhënësi qeveritar theksoi se kryeministri është i informuar vazhdimisht me gjendjen.
 
"Në emër të kryeministrit dhe qeverisë, unë shpreh dhimbjen e thellë dhe solidarizimin me familjet e viktimave si dhe atyre të cilët u prekën nga stuhia e fuqishme. Fatkeqësisht, gjashtë persona, dy rusë, dy rumunë dhe dy çekë, duke përfshirë edhe dy fëmijë, kanë humbur jetën. 23 persona janë hospitalizuar në Halkidiki dhe Selanik, duke përfshirë edhe një grua 72 vjeçare, e cila është në gjendje të rëndë. Gjithashtu një burrë është raportuar i humbur. Sekretariati gjeneral për mbrojtje civile ka lëshuar një paralajmërim për kushte të rrezikshme të motit në orën 5:57 pasdite, gjatë ditës së djeshme, me instruksione për mbrojtjen e qytetarëve në katër gjuhë, të cilat u lëshuan në mediat lokale dhe kombëtare”,- tha zëdhënësi qeveritar, Stelios Petsas.
 
Viktimat raportohen të jenë një djalosh 8-vjeçar dhe një grua 54-vjeçare nga Rumunia, të cilët vdiqën kur u shemb çatia e restorantit, një burrë 39 vjeçar dhe djali i tij 2-vjeç që u goditën nga një dru, ndërsa një çift i moshuar çek humbën jetën gjatë rrotullimit të makinës së tyre rimorkio. Është gjetur edhe trupi i pajetë i një burri në breg, i cili besohet të jetë i një peshkatari i cili me barkën e tij ishte raportuar i humbur në det.
 
Sipas MPJ-së të vendit, nuk është raportuar për asnjë viktimë, qytetarë nga Maqedonia e Veriut, të cilët janë duke pushuar në këtë krah të Greqisë. Edhe nga agjencitë turistike të vendit theksojnë se nuk ka paraqitje e as anulime të aranzhmaneve turistike. 
 
LEUNORA KALIQI