Shantazhi i humoristëve rusë, Zaev: Akt privat, jo i Rusisë
Shantazhi i humoristëve rusë ndaj kryeministrit, Zoran Zaev...

Shantazhi i humoristëve rusë ndaj kryeministrit, Zoran Zaev, nuk është akt i Federatës Ruse dhe nuk rrezikon marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve. Kryeministri, Zoran Zaev, me interpretim ndryshe, e cilësoi si akt privat që nuk guxon të luhatë miqësinë dhe përpjekjet për zgjerim të bashkëpunimit.
“Federata Ruse është mike e Maqedonisë së Veriut dhe besoj se këto performanca të rreme që janë bërë dhe për fat të keq u zbatuan edhe mbi mua, janë private dhe nuk janë akt i shtetit mik. Unë kështu i kuptoj dhe i komentoj sepse gjëra të këtilla nuk guxojnë të pengojnë marrëdhëniet tona miqësore dhe gjithsesi avancimin e bashkëpunimit me Federatën Ruse, që është një nga qëllimet tona si në planin ekonomik edhe në çdo plan tjetër”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
BAZDNIKIN: BASHKËPUNIM ME INTERES TË PËRBASHKËT
Edhe Federata Ruse e sheh Qeverinë e Maqedonisë së Veriut si mik dhe është e gatshme të avancojë bashkëpunimin vetëm në nivele që u konvenojnë interesave të përbashkëta.
“Rusia është e interesuar për avancimin e bashkëpunimit reciprok mes dy popujve. Për këtë, po e shohim gatishmërinë e qeverisë tuaj, z. kryeministër. Jemi të hapur për të thelluar bashkëpunimin tonë dhe zgjerimin në sfera të reja deri në atë shkallë që u përgjigjet interesave të përbashkëta”,- u shpreh ambasadori i Federatës Ruse, Sergej Bazdnikin.
ZAEV I KËRKON FALJE THAÇIT DHE KOSOVËS
Shantazhi i humoristëve rusë vuri në siklet edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të cilin e përmend Zaevi në kontekst të bisedimeve me Serbinë dhe idenë për korrigjim të kufijve. Mirëpo, Zaevi dhe Thaçi janë sqaruar në një bisedë telefonike.
“Shfrytëzoj rastin që nëse kam lënduar dikë, qoftë presidentin apo qytetarët e Kosovës me atë deklaratë, nuk e kam pasur atë qëllim. Ne jemi vend ekskluzivisht miqësor dhe shpresoj se jam edhe mik i qytetarëve të Kosovës dhe Kosovës. Ne kurrë s’kemi pasur detaje për procesin e bisedimeve, edhe presidenti Thaçi dhe presidenti Vuçiq e dinë këtë”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
THAÇI: U SQARUAM, DEKLARATA E BAZUAR NË THASHETHEME
“Më ka thënë shumë qartë se ka qenë një rrethanë në të cilën ka rënë pre e mashtrimit dhe e gjitha çfarë ka folur për gjoja 10 komunat e Kosovës, që gjoja do t’i jepen Serbisë, i ka folur duke u bazuar në thashetheme, në dezinformata dhe në të dhënat apo lansimet e gazetës “Sputnik” dhe thashethemeve ruse”,- tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Thaçi siguroi se raportet e Kosovës me Maqedoninë e Veriut do të mbesin korrekte, të fqinjësisë së mirë dhe se Kosova do të vazhdojë të fuqizojë perspektivën euroatlantike. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
