Resnjë, stuhia shkaktoi dëme të mëdha

11.07.2019 18:25

Stuhia ka prekur mbrëmë edhe rajonin e Prespës dhe Ohrit në Maqedoninë e Veriut....

Stuhia ka prekur mbrëmë edhe rajonin e Prespës dhe Ohrit në Maqedoninë e Veriut, duke shkaktuar dëme të mëdha, por fatmirësisht nuk kishte pasoja në njerëz.

Sipas turistëve dhe banorëve, stuhia zgjati rreth 20 minuta dhe era e fortë e ndjekur nga shiu mori gjithçka para saj, duke shkulur pemë, përmbysur tenda dhe duke dëmtuar infrastrukturën. 

Stuhia në Prespë ka dëmtuar çatitë e disa shtëpive, ndërsa ka shkulur edhe 60 shtylla elektrike. Në disa fshatra janë bllokuar rrugët nga rënia e pemëve, ndërsa ka pasur edhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Ekipe të ndërmarrjeve publike nga Resnja, Shërbimet zjarrfikëse dhe EVN-ja janë në terren, punojnë në sanimin e pasojave nga moti i keq.

Dëme të mëdha, siç thonë dëshmitarë, ka pasur në kampin Krani, ku janë thyer kamp shtëpiza dhe automobilë. Kryetari i Resnjës, Zhivko Gosharesvki, i cili i shoqëruar nga zyrtarë të qeverisë që kanë dalë në terren, ka deklaruar se nuk ka denoncime për viktima ose të lënduar, por është bërë dëm i madh material.