Srebrenicë, 24 vjetori i masakrës së mbi 8000 myslimanëve

11.07.2019 18:42

Sot u shënua 24-vjetori i Masakrës së Srebrenicës...

Sot u shënua 24-vjetori i Masakrës së Srebrenicës, në të cilën forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8,000 burra dhe djem mysliman.

Në qendrën përkujtimore Potoçari në Srebrenicë me këtë rast u varrosën kufomat e 33 viktimave të masakrës, të gjetura në disa varre masive gjatë vitit të fundit. Viktima më e re është Osman Cvrka, i cili ishte vetëm 16 vjeç kur është vrarë.

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë hyrë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara. Në ditët që kanë pasuar, ato kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i kanë hedhur në gropa në pyjet përreth. Derisa vrasjet kanë ndodhur për pak ditë, procesi i gjetjes së trupave ka marrë vite dhe identifikimi dhe varrimi i tyre vazhdojnë ende.

Në ceremoninë e sotme përkujtimore ishte i pranishëm edhe kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, i cili tha se ndodhet aty për të nderuar viktimat dhe për të dëshmuar se jemi të vetëdijshëm si njerëz se ndjejmë përgjegjësi morale dhe respekt, për të dëshmuar se kjo masakër nuk do të harrohet kurrë. 

Ky kapitull i dhimbshëm i historisë nuk duhet të mohohet dhe as të harrohet, ka deklaruar edhe Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo.

“Ne qëndrojmë me ata që ende kërkojnë drejtësi. Konfirmon vazhdimin e mbështetjes për ata që punojnë në respektin për dinjitetin e të gjithë viktimave, duke përfshirë edhe ata të cilët janë ende duke pritur për vendin e tyre të fundit të prehjes ne”,- tha Pompeo në një deklaratë të lëshuar nga Departamenti i Shtetit.