BE paralajmëron masa ndaj Turqisë

11.07.2019 19:18

Bashkimi Evropian është i vendosur të kufizojë kontaktet dhe fondet ndaj Ankarasë....

Bashkimi Evropian është i vendosur të kufizojë kontaktet dhe fondet ndaj Ankarasë, si hakmarrje ndaj asaj që BE-ja e quan “shpime të paligjshme” të Turqisë, për gaz dhe naftë jashtë Qipros.

Shpimet turke, BE-ja i sheh si ndërhyrje në zonën ekonomike ekskluzive të Qipros. BE-ja është gati të shtojë më tej masat ndaj Turqisë.

"Pavarësisht nga synimet tona për të mbajtur marrëdhënie të mira fqinjësore me Turqinë, përshkallëzimi i vazhdueshëm i saj dhe sfidimi ndaj sovranitetit të shtetit tonë anëtar Qipros, në mënyrë të pashmangshme do ta detyrojë BE-në të përgjigjet në solidaritet të plotë", tha Donald Tusk, president në largim i Këshillit Evropian.

BE-ja kishte paraparë t’i jepte Turqisë 4.45 miliardë euro për të realizuar reforma politike, dhe në fusha tjera, në mënyrë që të përgatitej për një anëtarësim të mundshëm në bllok. Por, vitin e kaluar, Brukseli tërhoqi 175 milionë euro në shenjë proteste ndaj asaj që e shihte si përkeqësim të të drejtave të njeriut në Turqi. Ankaraja, të mërkurën kundërshtoi kritikat e Greqisë dhe BE-së se shpimet turke jashtë Qipros ishin të paligjshme.