Fon Der Lajen: RMV, shembull i shndritshëm për arritje pozitive

12.07.2019 10:52

Kandidatja për kryetare të Komisionit Evropian, Ursulla Fon Der Lajen

Kandidatja për kryetare të Komisionit Evropian, Ursulla Fon Der Lajen, në prezantimin para fraksioneve politike në Parlamentin Evropian, e cilësoi  Maqedoninë e Veriut një shembull të ndritshëm për arritje pozitive në Ballkanin Perëndimor. Siç përcjell “Dojçe Vele”, ajo angazhohet fuqishëm për dyer të hapura ndaj vendeve të Evropës lindore dhe Ballkanit Perëndimor, që synojnë  anëtarësimin në BE dhe ka specifikuar si shembull Maqedoninë e Veriut, që sipas saj, tregoi se çfarë mund të arrihet kur njerëzit kanë para vetes synim të qartë pozitiv – në këtë rast anëtarësimin në BE. 
 
Nëse arrin të zgjidhet, Fon Der Lajen do të angazhohet që BE më seriozisht t’i qaset Ballkanit. Por, përpjekjet e saj për të marrë mbështetje nga grupet parlamentare nuk po ecin aq lehtë. Për këtë është e nevojshme shumica e votave nga gjithsej 751 deputetë në parlament, gjë që për momentin nuk e ka. 
 
Kundërshtarët më të mëdhenj të saj vijnë nga socialistët dhe demokratët. Të gjitha grupet i kanë paraqitur tashmë kërkesat e tyre në adresë të së nominuares për kryetare të ekzekutivit të BE-së. Liberal - demokratët kërkojë nga drejtuesja e institucionit të KE-së një mekanizëm europian për të siguruar që të gjitha qeveritë e Bashkimit Europian të respektojnë shtetin ligjor, e ky mekanizëm, sipas  tyre, duhet të shoqërohet edhe me sanksione. Socialdemokratët kërkojnë që KE të ketë prioritet politikën e emigracionit, barazinë gjinore dhe luftën kundër ndryshimeve politike. 
 
Të martën, Fon Der Leyen përpara europarlamentarëve në Strasburg, do të paraqesë vizionet dhe planet e saj për 5  vitet e ardhshme. Kandidatura do të votohet të njëjtën ditë në orët e mbrëmjes.  Nëse ajo merr mbështetjen e shumicës absolute, 50%+1 votë, Ursula Von der Leyen do të jetë kryetarja e re e Komisionit Europian. Nëse nuk arrihet ky numër, krerët e BE-së kanë një muaj kohë për të nominuar kandidat tjetër. Fon der Lajen vizitoi Maqedoninë e Veriut në shtator të vitit 2018, para mbajtjes së referendumit për emrin, si ministre gjermane e mbrojtjes në atë kohë. Nga Shkupi, politikania gjermane porositi se dëshiron një Europë të bashkuar dhe unike.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU