Maqedoni

Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi, OJQ-të: KMD është nën ndikimin e politikës

12.07.2019 15:39

Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi është joefikas dhe joprefesional dhe punon nën ndikimin politik....

Ky është vlerësimi i Raportit që ka analizuar punën e këtij Komisioni nga viti 2011 deri në vitin 2018, i realizuar nga sektori civil, rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi. Sipas raportit, mungojnë edhe procedurat e ngritura sipas detyrës zyrtare për mbrojtje nga diskriminimi.
 
“Sipas intervistave që i realizuam, komisarët nga përbërja aktuale nga periudha 2015-2019, thanë se kanë qenë pjesë e lojërave politike dhe e gjithë kjo ka ndikuar në sjelljen e rekomandimeve dhe mendimeve të tyre në raste konkrete ku ka vepruar Komisioni. Të gjitha këto kanë ndikuar që Komisioni të mos mundet të ngrihet në piedestal si institucion kyç për mbrojtje nga diskriminimi. Ai mbeti në nivelin e institucionit joprofesional dhe jokompetent dhe i ndikuar nga politika”,- tha Marija Gelevska nga Shoqata "Ese".
 
“Pa marrë parasysh se për cilën parti bëhet fjalë, komisarët ndonjëherë ndodhen nën shtypje, gjegjësisht veprojnë varësisht prej asaj se për cilat persona bëhet fjalë. Shembull është sjellja e mendimit për ish kryeministrin, Nikolla Gruevski, ku Komisioni në afat rekord miratoi mendim, në llogari të asaj që raste të tjera presin 1 vit e më tepër”,- tha Igor Jadrovski nga Komiteti i Helsinkit.
 
“Ka mospërputhje në mekanizmat ekzistues, posaçërisht te Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi, rregullativë të dobët ligjore në këtë sferë dhe gjithë kjo pamundëson mbrojtjen e viktimave, ekziston veprim jokonsistent i Komisionit dhe kapacitet i dobët profesional të personave brenda të vendosin për këto çështje”,- u shpreh Natasha Boshkova nga Koalicioni Margini.
 
Por, nga Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi mohojnë të kenë pasur shtypje direkte nga politika. Sipas tyre, pavarësia totale megjithatë është e pamundur.
 
“Është evidente se edhe ne organet e pavarura, Avokati i Popullit, komisionet etj., gjithmonë synojmë të jemi tërësisht të pavarur, por pavarësi absolute as nuk ka pasur e as që do të ketë. Në përgjithësi shtypje nga partitë nuk ka pasur, megjithatë ka pasur lajmërime nga persona tjerë dhe vlerësoj se komisarët të gjithë ata që punojnë edhe në këtë rrethana duhet të ngrihen nga kjo situatë dhe më me rëndësi të jetë personi dhe procedura”,- theksoi Dushko Minovski nga Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi.
 
Në suaza të Ligjit të ri, Komisioni do të ketë mandat të zgjeruar dhe rritje të kompetencave. Organizatat qeveritare vlerësojnë se, që Ligji i ri të ketë sukses në përdorim, nevojiten financa nga shteti. Qytetarët më shpesh janë ankuar për diskriminim në bazë  etnike, orientim seksual dhe politik. Në zgjedhje e sipër është përbërja e re e Komisionit, e  pritet që situata të ndryshojë.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI