Maqedoni
Ish ministri mbetet në paraburgim, Prokuroria s’ka njoftim për gjendjen e Janakievskit
12.07.2019 16:11
Prokuroria deri më tani nuk ka pranuar asnjë paralajmërim për gjendjen shëndetësore të ish ministrit, Mile Janakievski

Prokuroria deri më tani nuk ka pranuar asnjë paralajmërim për gjendjen shëndetësore të ish ministrit, Mile Janakievski, që gjendet në paraburgim dhe ka dy javë, sipas avokatëve dhe familjes, që nuk pranon të hajë ushqim. Duke mos pasur asnjë informatë rreth gjendjes shëndetësore të ish ministrit, Prokuroria nuk mund të kërkojë ndërprerjen e parakohshme të masës së paraburgimit 30-ditor dhe ndryshimin e saj në masë më të lehtë të kujdesit, thonë nga Prokuroria.
Para disa ditëve, Janakievski është ankuar se kishte vjellje dhe dhimbje në veshkë dhe menjëherë është transferuar në Spitalin e Qytetit “8 Shtatori”. Pas marrjes së terapisë adekuate është kthyer në burgun në Shutkës. Ish ministri i transportit, Janakievski, deri më tani disa herë është lëshuar nga paraburgimi. Herën e fundit iu mundësua paraburgimi shtëpiak pas përleshjes fizike me të burgosurit e rastit “Lagjja e Trimave”.
Shtyhet fillimi i dënimit, Sead Koçan shtrohet në spital
Edhe një tjetër i dënuar ka arsyetim shëndetësor për të mos shkuar në burg. Biznesmeni, Sead Koçan, që më 17 korrik duhet të paraqitet në burgun e Idrizovës, për ta vuajtur dënimin prej 4 vite e 8 muaj burg, është shtruar në njërin nga spitalet private në Shkup. Gjykata Themelore Shkupi 1 ka pranuar raportin nga spitali që shtyn fillimin e vuajtjes së dënimit. Koçan ka bërë kërkesë në Gjykatën Supreme për shqyrtim të jashtëzakonshëm të aktgjykimit prej 4 vitesh e 8 muaj për rastin “Trust”, për të cilin është dënuar sepse ka konkurruar me dokumentacion fallco e ka përfituar 17 milion euro para të buxhetit pa plotësuar kushtet.
Në maj të 2017, pas dy muaj e gjysmë arratisje nga paraburgimi, Koçani u pranua me urgjencë në Qendrën klinike, menjëherë pasi Gjykata Supreme solli vendimin për ndërprerje të masës së paraburgimit, duke hedhur poshtë vendimet e Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit. Sëmundjet janë arsyetimi më i shpeshtë në gjykimet e hapura nga PSP. Për të njëjtën arsye u anulua gjykimi për “Qytetin e Diellit” dhe për rastin “Talir”.
LEUNORA KALIQI
