Maqedoni
Ndryshimi i modelit zgjedhor, Zaev: Një njësi zgjedhore me lista të hapura
12.07.2019 16:31
Legjislacioni zgjedhor dhe modeli i sistemit zgjedhor....

Legjislacioni zgjedhor dhe modeli i sistemit zgjedhor, i gjen akoma në pozicione diametralisht të kundërta LSDM-në qeveritare dhe VMRO – DPMNE-në opozitare. Kryeministri Zaev nga Velesi potencoi se LSDM përkrah reformat në legjislacionin zgjedhor dhe harmonizimet e qëndrimeve për sa i përket modelit zgjedhor. Sipas kryeministrit, për LSDM-në do të ishte e pranueshme që në zgjedhjet e para parlamentare të shkohet me një njësi zgjedhore dhe me lista të hapura. Zaev pret që të kontribuojnë edhe partitë tjera politike me idetë dhe modelet zgjedhore.
“Sistemi Zgjedhor së pari duhet të ndryshohet për t’i respektuar udhëzimet e ODIHR-it. Unë dhe zoti Mickovski pas zgjedhjeve presidenciale, thamë se pasi vendi nuk do të ketë zgjedhje në afat prej 1 viti e gjysmë, duhet të ulemi dhe të shohim modelin zgjedhor. Për ne si LSDM me rëndësi është të kemi një njësi zgjedhore, listat e hapura dhe gjithçka që do të thotë demokratizim të procesit zgjedhor jemi të gatshëm ta bëjmë”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
VMRO-DPMNE: Ideja, defokusim i opinionit nga skandalet e qeverisë
Për VMRO-DPMNE-në është i pranueshëm çdo model, pasi, sipas opozitës, ata do të dalin si parti fituese, por kërkojnë që këto tema të mos hapen tani kur kryeministri po ballafaqohet me skandale të njëpasnjëshme.
“Në cilindo model, VMRO-DPMNE do të jetë fituese e zgjedhjeve, qofshin ato të parakohshme apo të rregullta parlamentare, këto janë vetëm flokula për ta defokusuar opinionin nga problemet ekonomike dhe veprimet kriminale që po e shoqërojnë këtë Qeveri. Prandaj ne së pari presim që Prokuroria për të hapur hetim për këto afera kriminale të kësaj qeverie”,- tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkoviq.
Për këtë problematikë të legjislacionit zgjedhor, Ambasada e Zvicrës ka ndarë një grand prej 11 milion eurosh, për një periudhë 10 vjeçare. Ndryshimi i modelit zgjedhor po përkrahet fuqishëm edhe nga partitë shqiptare, të cilat kanë pohuar se listat e hapura mbesin si opsion i pranueshëm, por për ta dilema mbetet tek njësitë zgjedhore.
FITIM KRYEZIU
