Maqedoni

Bërns, optimiste: Në fund të vitit, RMV anëtare e 30 e NATO-s

12.07.2019 16:51

Numri i vendeve që kanë ratifikuar protokollin e anëtarësimit të vendit në NATO është rritur në 22 pas ratifikimit nga Turqia dhe Çekia....

Pritet që së shpejti protokolli të ratifikohet edhe nga shtetet e mbetura, mes tyre edhe nga ShBA-të. Gjatë dorëzimit të letrave kredenciale, ambasadorja e sapoemëruar e ShBA-ve, Kejt Meri Bërns, u shpreh optimiste se deri në fund të vitit Maqedonia e Veriut të bëhet  anëtarja e 30 e NATO-s.
 
“Ne kemi punuar së bashku për më shumë se 25 vjet dhe kemi arritur shumë në promovimin e qëllimeve tona të përbashkëta - ta shohim Maqedoninë e Veriut plotësisht të integruar në institucionet perëndimore dhe plotësisht të angazhuar ndaj vlerave tona të përbashkëta - demokracisë, lirisë individuale dhe sundimit të ligjit”,- ka theksuar ambasadorja Bërns. 
 
Pendarovski: Mbështetja e ShBA-ve, nxitje për përballje me sfidat
 
Presidenti Pendarovski ka falënderuar ShBA-të për mbështetjen e dhënë që nga pavarësimi i vendit.
 
“Kjo mbështetje, veçanërisht e shprehur në fushën e arritjes së qëllimeve strategjike - integrimi i plotë në strukturat dhe organizatat euroatlantike - nuk është vetëm dëshmi e miqësisë së ngushtë, por edhe një nxitje dhe inkurajim jetësor për të përballuar me sukses të gjitha sfidat në botën e sotme të ndryshimeve të vazhdueshme”,- ka nënvizuar Pendarovski.
 
Lahdevirta: Do të ndërmjetësojmë në arritjen e rezultateve
 
Presidenti ka pranuar letrat kredenciale edhe të ambasadorit të sapoemëruar të Finlandës me seli në Beograd, Kimo Lahdevitra. Finlanda mbështet nisjen e negociatave për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ambasadorja Lahdevitra beson se Këshilli i Ministrave i BE-së do të marrë një vendim pozitiv për këtë jo më vonë se tetori.  
 
“Finlanda është tani kryesuese me Kryesinë e Këshillit të Bashkimit Evropian dhe në këtë drejtim unë ju siguroj se ne do të jemi ndërmjetësues të ndershëm dhe ne do të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për të arritur rezultate konkrete gjatë kryesimit tonë”,- tha Kimmo Lahdevirta.
 
Presidenti Pendarovski shpreson që përparimi i Maqedonisë së Veriut, i pasqyruar në Raportin e Komisionit Evropian, do të vlerësohet dhe forcohet me një vendim pozitiv gjatë kryesimit të Finlandës me Këshillin e BE-së.
 
NAIM RAMADANI