Maqedoni
Gruevski: Zaev manipuloi “bombat”, u pa te rasti “Neshkovski”
12.07.2019 17:13
Ish kryeministri, Nikolla Gruevski, nga Budapesti, ku gjendet në azil....

Ish kryeministri, Nikolla Gruevski, nga Budapesti, ku gjendet në azil, nuk i ndërpret akuzat përmes facebook-ut ndaj pasardhësit të tij, Zoran Zaev. Kësaj radhe, Gruevki akuzon kryeministrin Zaev se po manipulon opinionin me “bombat” rreth Martin Neshkovskit, Nikolla Mlladenovit dhe vrasjen në liqenin e Smillkovës.
“Në fillim montuan audio-xhirimet që ngjallën një shpërthim emocional në opinion dhe pasi erdhën në pushtet, krijuan mashtrimin e ri përmes trysnisë, ose duke urdhëruar gjykatësit që t’i pranojnë këto audio-xhirime të montuara si prova kryesore, e në mënyrë shokuese e pa asnjë shpjegim, si askund në botë, në mos pranojnë ekspertizë gjyqësore të tërësisë dhe autenticitetit të tyre”,- shkruan Gruevski.
Veçanërisht audio-përgjimi për Martin Neshkovskin në vitin 2015, zë pjesën më të madhe të statusit të Gruevskit kundër Zaevit dhe bazohet në audio-përgjimin e fundit 12 minutësh të publikuar nga profili i “El Cheka”, ku jepej në tërësi biseda mes Gruevskit dhe ish ministres së brendshme, Gordana Jankullovska, rreth vrasjes së Neshkovskit.
“Materiali i montuar për vrasjen e Martin Neshkovskit kishte për qëllim të jetë “bomba” më emotive, “shpërthimi” i së cilës kishte për qëllim t’i nxjerrë njerëzit në rrugë, në tenda para Qeverisë dhe të shkaktojë protesta të dhunshme, me shumë policë të lënduar, me qëllim që të kulminonte kriza politike që ai vetë e shkaktoi”,- shkruan Gruevski.
Momentalisht ky audio-përgjim nuk gjendet në profilin e “El Chekës”, nga ku është bllokuar për t’u dëgjuar nga opinioni më i gjerë. 21-vjeçari, Martin Neshkovski, u vra nga një nëpunës policor gjatë festimeve të fitores së VMRO-DPMNE-së në vitin 2011. Polici, Igor Spasov, u dënua me 14 vjet burg për këtë rast.
GYLTENE SINANI
