Maqedoni

Statusi i PSP-së, Zaev: Jemi bllokuar te emri i Katica Janevës

12.07.2019 17:33

Kryeministri, Zoran Zaev, ka fajësuar kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski....

Kryeministri, Zoran Zaev, ka fajësuar kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, se bllokon arritjen e zgjidhjes për Ligjin për Prokurori Publike dhe PSP-së. Kreu i ekzekutivit thotë se Mickovski, në mungesë të qëndrimit, nuk ka guxim të ulet dhe të dakordojë ligjin. Zaev shprehet optimist se zgjidhja mund të arrihet deri në fund të këtij muaji, por pengesë mbetet emri i Katica Janevës, të mbetet apo jo në krye të Speciales.
 
“Lideri i opozitës në të gjitha takimet thotë se Katica Janeva është problem. Në një pjesë vërtetë ka përparim të grupeve të punës, por në nenin 105 dhe në disa detaje të caktuara jemi të bllokuar. Unë besoj që javën e ardhshme do të duhet t’i lëvizim gjërat, pasi që deri në fund të këtij muaji do të duhet të kemi përgjigje se a ka zgjidhje për këtë çështje ose nuk ka zgjidhje. Nëse ligji nuk është pjesë e raportit të BE-së që duhet të vendoset në tetor, kjo nuk do të thotë se dikush këtë nuk do ta shfrytëzojë si kundërargument në marrjen e vendimit. Duhet ta miratojmë ligjin, e kemi obligim ndaj qytetarëve”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Ligji për Prokurorinë Publike, Stoillkovski: Dallimet janë mbi parimet e ligjit
 
Nga VMRO–DPMNE përgënjeshtrojnë pretendimet e kryeministrit dhe thonë që emri i Janevës nuk është çështje diskutimi, por dallimet qëndrojnë në themelimin e ligjit mbi parimet e propozuara.
 
“Njeriu, para së gjithash është i defokusuar, pasi që thotë se Katica Janeva është pengesa. Javën e kaluar dëgjuam ministren e drejtësisë e cila tha se aspak nuk bëhet fjalë që Katica Janeva të mbetet në pozicionin e kryeprokurores, ashtu që absolutisht nuk bëhet fjalë për këtë, por për dallimet thelbësore që kanë të bëjnë me parimet mbi të cilat duhet të bazohet ligji për prokurori publike”,- theksoi zëdhënësi i VMRO–DPMNE–së, Naum Stoillkovski.
 
Nga VMRO-DPMNE, pa zbuluar detaje, thonë se janë duke përfunduar versionin e tyre të Ligjit për PSP-në dhe për disa ditë do ta dorëzojnë në Ministrinë e Drejtësisë.
 
MERAL ISMAILI