Maqedoni

Qendra për trajtimin e përdoruesve të drogës, komuna kërkon të ndryshohet lokacioni

12.07.2019 18:00

Mbeturina medicinale, shiringa, gjilpëra të përdorura shihen kudo në oborrin e qendrës ku trajtohen personat e varur nga mjetet narkotike në Kisella Vodë....

Ky institucion është i vetmi në Shkup dhe rrethinë dhe me vite të tëra paraqet problem për banorët e kësaj komune të  cilët kanë frikë për sigurinë e tyre. Shqetëson edhe fakti se në afërsi ka edhe shkollë fillore. Qytetarët e kësaj komune japin propozime konkrete për institucionet kompetente.
 
“Sa më larg qytetit të dislokohet, sepse ne jo vetëm tani, por 20 vite kërkojmë që t’i ndryshohet lokacioni këtij institucioni”,- tha një qytetar. 
 
“Vërejmë shiringa gjithkund dhe këtu në afërsi të autobusit shohim se si përdoret droga, po ku duhet të dislokohet nuk e di”,- theksoi një qytetar. 
 
“Mund të ketë zgjidhje, çdo komunë të hap një institucion të tillë”,- u shpreh një qytetar. 
 
Ndërkohë, kryetari i komunës së Kisella Vodës thekson se kjo komunë ka kërkuar dislokimin e qendrës ku trajtohen personat e varur nga mjetet narkotike, por kjo, sipas tyre, është në kompetencë të Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka vendim për këtë çështje.
 
“Po shqyrtohen pesë lokacione për t’u vendosur Qendra për trajtimin e personave të varur nga mjete narkotike. Lokacioni në Gazibabë është anuluar”,- thuhet në kumtesën e Ministrisë së Shëndetësisë.
 
Muajin e kaluar, të revoltuar nga komuna e Kisella Vodës, qytetarë mbajtën protesta para Qendrës për përkujdesje për persona të varur nga mjetet narkotike. Protesta u mbajtën edhe në komunën e Gazibabës, ku qytetarët kundërshtuan dislokimin e qendrës. Kjo qendër, ku përdoret terapi me metadon, duhej të jetë vetëm lokacion i përkohshëm, por në këtë vend qëndron tashmë 20 vite.
 
FLUTURA LATIFI