Maqedoni
Paralajmërimet për “veting”, Pollozhani: Proces i domosdoshëm thelbësor, jo fasadë
12.07.2019 18:15
Analisti politik, ish deputet në përbërjen e parë parlamentare, Mersim Pollozhani....

Analisti politik, ish deputet në përbërjen e parë parlamentare, Mersim Pollozhani, konsideron se ambienti politik në vend dhe organet e sistemit në përgjithësi kanë nevojë për një proces pastrimi, të ashtuquajtur “veting”. Paralajmërimet për një proces të tillë, edhe pse të vonuara janë të mirëseardhura madje të domosdoshme, thotë Pollozhani. Por, sipas tij, problemi që shtrohet është a do të munden, liderët e partive, fillimisht të pastrojnë radhët e veta nga zyrtarë që janë në konflikt me ligjin.
“Tani, a ka forcë ta bëjë një kryetar partie si Ali Ahmeti, i cili duhet të fillojë nga maja, personazhe që tërë kohës kanë qenë pranë tij. Shumë abuzime, biznese që janë zhvilluar nga funksionarë të cilët gjithmonë kanë qenë pranë liderit të partisë. Kjo kryhet sa për ta plotësuar formën, pa ndërhyrë në esencën e problemit”,- tha analisti politik, Mersim Pollozhani.
Gjithsesi, Pollozhoni rekomandon fillimin e një procesi të tillë, edhe pse partnerët qeverisës e paralajmërojnë në pjesën e dytë të mandatit. Sipas tij, pastrimi i institucioneve është proces që nuk mund të mbyllet në një mandat.
“Do të ishte mirë sikur kjo të kishte filluar pak më herët. Them se është tepër vonë, megjithatë ka akoma shans nëse ka vullnet që me të vërtetë diçka të fshihet, të pastrohet në këtë ambient të ndotur politik. Nuk besoj se mund të ndodh diçka edhe në këto dy vite sa ka kjo qeveri se do të bëjë diçka të madhe. Mund të fillojë, dhe nëse fillon do të jetë një punë e mbarë dhe punë e mirë, që pastaj të vazhdojë edhe në mandatin e ardhshëm të kësaj qeverie ose një qeverie tjetër, një proces që do të zgjasë në mos 10 vjet sa është shkatërruar sistemi, do të zgjasë të paktën 5-6 vjet”,- tha analisti politik, Mersim Pollozhani.
Pas përfundimit të procesit të ashtuquajtur “fshesë” e që nënkuptoi rikonstruim të Qeverisë, BDI paraqiti edhe planin për “veting” dhe propozimin që të formohet agjenci e posaçme, e cila do të zbatonte këtë proces. Edhe LSDM ka paralajmëruar një proces të tillë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, madje tha se po përgatitet propozim ligji, i cili së shpejti do të jetë në Kuvend. Mirëpo, VMRO-DPMNE-ja opozitare konsideron se procesi i vetingut duhet të fillojë nga Qeveria, përkatësisht me zgjedhje të parakohshme.
SHPËTIM NUREDINI
