Maqedoni
Ivanov: Problem për vendin kriza politike dhe emri
08.09.2014 17:11
Krizë politike në plan të brendshëm dhe ngecje në procesin eurointegrues...

Në këtë gjendje Republika e Maqedonisë sot shënon 23 vjetorin e pavarësisë, përkatësisht 23 vite nga referendumi, në të cilin shumica e qytetarëve të Maqedonisë u deklaruan për shtet të pavarur dhe sovran.
Por, referendumi i 8 shtatorit i vitit 1991 u bojkotua nga qytetarët shqiptar, ndërsa Kushtetuta e re pas pavarësimit nuk u mbështet nga deputetët shqiptarë të kohës.
Pavarësisht rrethanave tani dhe atëherë Presidenti i Republikës, Gjorge Ivanov, uron aktorët e atëhershëm politik për vizionin për mëvetësim, ndërsa qytetarët për mbështejen që i kanë dhënë kësaj ideje.
“Duhet të urojmë ato gjenerata, të cilat atëherë kanë qenë në krye të shtetit dhe që kanë marrë nje vendim të tillë, të cilin qytetarët e kanë mbështetur në referendum dhe që sot e shënojmë dhe e festojmë. Mendoj se është për lëvdatë vizioni për të pasur shtetin tonë. Të përcaktoheni që në familjen e shteteve të jeni aktor dhe faktor i barabartë”, shprehet presidenti i RM-së Gjorgje Ivanov.
Në një vend, por të ndarë shumica parlamentare dhe opozita vedosën kurora me lule para përmendores "Heronjtë e rënë për Maqedoni" në parkun "Gruaja Luftëtare". Kreu i shtetit thotë se nuk kanë munguar nismat e tij për takime liderësh dhe përmirësimin e dialogut politik, por opozita nuk i është përgjigjur thirrjes së tij.
“Kur u ktheva nga Brukseli e nxita të njëjtin, por opozita nuk kishte dëshirë të bisedon. Gëzon fakti që mes pushtetit dhe opozitës ka dialog në nivel të liderëve të partive, por të injoroni një institucion i cili ka fituar besimin nga qytetarët dëshmon mungesë serioziteti. Të shpresojmë se nga e gjithë kjo që po ndodh mësojnë edhe ata që përpiqen të bojkotojnë institucionet”, shprehet presidenti i RM-së Gjorgje Ivanov.
Subjektiviteti ndërkombëtaro-juridik i Maqedonisë definitivisht u konfirmua më 8 prill të vitit 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Maqedonia u pranua si anëtarja e 181-të në Organizatën Botërore.
Megjithatë, për shkak të kundështimeve dhe presioneve të Greqisë, e cila nuk e pranon emrin kushtetues të Maqedonisë, anëtarësimi në KB u bë nën referencën e përkohshme Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë. Nën patronat të KB-së , Shkupi dhe Athina filluan bisedimet për zgjidhjen e problemit që ka me Greqinë me emrin kushtetues të Maqedonisë, që ende vazhdon.
“E shihni që te ata nuk ekziton as dëshitë as interes që të ballafaqohen me këtë problem mqë ata e krijuan dhe nëlse e shihni agjendën e tyre dhe prioritet e tyre do të shihnë që çështja e jonë nuk është në agjendën e tyre pasi nuk kanë asçfarë pasoja për atë që po na bëjnë. Por disa here duhet kohë për çdo gjë”, shprehet presidenti i RM-së Gjorgje Ivanov.
Maqedonia deri tani ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 170 shtete në botë, ndërsa me emrin kushtetues është pranuar nga 135 shtete, në mesin e të cilave edhe nga tre anëtaret në Këshillin e Sigurisë - Kina, Rusia dhe SHBA-ja.
SHPËTIM NUREDINI
