Afganistan, vritet një ushtar amerikan
Misioni i NATO-s ka njoftuar se një ushtar amerikan është vrarë sot në Afganistan...

Në deklaratë nuk u dha më shumë detaje lidhur me vdekjen e ushtarit, ndërsa u tha se identiteti i ushtarit do të bëhet publik, vetëm pasi të jetë njoftuar familja e tij.
Vetëm gjatë këtij viti, shtatë pjesëtarë të Ushtrisë amerikane janë vrarë në Afganistan. Ushtria amerikane më herët kishte njoftuar se dy pjesëtarë të saj u vranë në Afganistan më 26 qershor.
Shtetet e Bashkuara në shtatorin e kaluar nisën një përpjekje të re, që të sjellin talibanët në tavolinën e bisedimeve, me qëllim që t’i jepet fundit konfliktit afgan afro 18-vjeçar – luftës më të gjatë në histori të SHBA-së.
I dërguari për paqe i SHBA-së për Afganistanin, Zalmay Khalilzad, ka mbajtur tetë raunde të bisedimeve të paqes me talibanët në Katar.
Ai e përshkroi raundin e fundit – që përfundoi më 9 korrik – si takimin “më produktiv” që ka mbajtur deri më tani.
