Maqedoni
S’ka takim liderësh: VMRO e interesuar vetëm për zgjedhje, LSDM fton VMRO-në mos frenojë proceset
14.07.2019 15:49
Propozim Ligji për Prokurorinë Speciale, i cili është një ndër kërkesat e BE-së për marrjen e datës për çeljen e negociatave...

Propozim Ligji për Prokurorinë Speciale, i cili është një ndër kërkesat e BE-së për marrjen e datës për çeljen e negociatave, ndryshimi i sistemit zgjedhor dhe regjistrimi i popullsisë, i cili duhet të realizohet vitin e ardhshëm, janë tre çështjet kryesore, të cilat është e pëlqyeshme që të zgjidhen me konsesnsus të gjërë politik.
Mirëpo, përkundër paralajmërimeve për një takim liderësh nga vetë kryeministri Zoran Zaev, një gjë e tillë assesi të ndodh. VMRO DPMNE mohon të ketë marrë ftesë për takim liderësh, gjithsesi rithekson se e vetmja çështje për të cilën ka interes dhe do të ishte ulur në bisedime është organizimi i zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare.
“Jo nuk kemi ftesë për takim liderësh. Nga VMRO DPMNE tregojmë se duhet pjekuri politike nga kryeministri dhe anëtarët e pushtetit që të ulemi dhe të bisedojmë për organizimin e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare, pasi burimi i të gjitha problemeve në RM dhe shoqëri është pikërisht Qeveria, (Ilindeni 2)”, u shpreh zëdhënës i VMRO DPMNE-së, Naum Stoilkovski.
LSDM konsideron se fillimisht duhet diskutuar çështjet me interes për shtetin dhe qytetarët. Posaçërisht çështja e PPS-së, e cila kushtëzon procesin integrues në BE. Për mosrealizimin e një takimi liderësh akuzojnë VMRO DPMNE-në për mungesë vullneti politik.
“Ende nuk ka marrëveshje konkrete për takim të mundshëm dhe temat për të cilat do të bisedohej. Megjithatë ftojmë VMRO DPMNE-në që të mos i frenojë proceset me interes për shtetin. Ata paralajmërojnë se vetëm një temë e kanë me interes, megjithatë ne i ftojmë që të ndihmojnë që të miratohen ligjet sistemore që janë me interes për shtetin dhe integrimet euroatlantike, para së gjithash Ligji për Prokurorinë Publike, ku përfshihet edhe prokuroria Speciale”, theksoi deputeti i LSDM-së, Kostadin Acevski.
Pak ditë më parë, vetë kreu i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickovski deklaroi se nuk do ta ndihmojë pushtetin për të arritur qëllimet e saj në procesin eurointegrues.
SHPËTIM NUREDINI
